E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kukës: S’kam ardhur për vota, por për t’ju dëgjuar

Edi Rama vazhdon turin e tij në zonat rurale dhe dje Shishtaveci i Kukësit ka qenë ndalesa e radhës për të në kuadër të turit “Dialog me Shqipërinë”, ku në qendër të vëmendjes është bujqësia dhe zhvillimi rural. Siç bën të ditur PS, në bashkëbisedimin me banorët e këtij fshati, Rama është ndalur në mungesën e tregut për produktet bujqësore të këtij fshati, të njohura në të gjithë vendin. “Dialogu, - u shpreh Rama, - nuk synon të shesë politikën, por ta bëjë politikën pjesë të qytetarëve, për të gjetur së bashku zgjidhjet dhe idetë për të ardhmen mes njerëzve, mes atyre që vuajnë prej 18 vitesh politikën e harresës nga qeverisja”. Duke u bazuar në tezat e tij se nuk po bën fushatë elektorale dhe politike, ai u shpreh se “nuk kemi ardhur këtu për t’ju kërkuar apo marrë votat, por jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe për të kuptuar më mirë hallet tuaja dhe shpresat tuaja, problemet dhe ëndrrat tuaja, sepse në këtë zonë të thellë, ka shumë probleme, halle, shqetësime të përditshme”. Ai nuk ka preferuar të merret me problemet në koalicionin e majtë me Ilir Metën, duke vazhduar të bëjë një vesh shurdh ndaj akuzave të forta të tij për tradhti. Por duke folur para banorëve të Shishtavecit, ai ka thënë se “unë jam këtu që së bashku ne të ndërtojmë një shtet, që ua njeh të drejtat në këtë zonë të vështirë në Kushtetutë dhe ligj, por mbi të gjitha ua garanton në jetën e përditshme, për të bërë të mundur që ju të mos i varrosnin patatet ngaqë nuk i nxirrni dot në treg, por që të jetoni me mundin tuaj, duke i shitur prodhimet tuaja, jo për të mbijetuar, por për të garantuar një jetë dinjitoze, si qytetarë të Republikës së Shqipërisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›