Bogdani: Rama po trillon për masterplanin e jugut
PD-ja akuzoi dje kreun e baskisë, Edi Ramën, për trillim në mënyrën e paskrupullt të trajtimit të masterplanit të zhvillimit të turizmit të bregut jonian të vendit, vepër e një kompanie angleze ndër më të shquarat në botë dhe e kontraktuar nga Banka Botërore, duke e cilësuar atë si klan i biznesit familjar të Berishës. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, deklaroi dje se këto janë trillime të paskrupullta të radhës dhe se plani i zhvillimit të turizmit të bregut të jugut ka mbështetjen e të gjitha grupeve të interesit. Sipas tij, atë e ka kundërshtuar vetëm mafia që kërkon të betonojë bregun jugor për përfitime marramendëse. “Plani i bregut jonian mbështet zhvillimin e fuqishëm të turizmit dhe bizneseve të lidhura me të në bregun jonian dhe mbështetet nga të gjithë banorët e tij”, - tha z.Bogdani. Zëdhënësi demokrat shtoi se Sali Berisha nuk ka asnjë biznes në të gjithë gjatësinë e bregut të detit Adriatik apo Jon, por ai dhe qeveria e tij po investojnë aty nga Orikumi në Ksamil në rrugë kombëtare, ujësjellës, kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave të zeza shumë më tepër se investimet e 80 viteve të fundit dhe këtë e dinë, e ndiejnë dhe e shprehin të gjithë banorët e bregut, të cilët kanë gjetur tek Sali Berisha shtetarin e fjalës së mbajtur.