E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi, Berishës: Të mbajmë premtimet e “Mesdheut”



Samiti i Francës kërkon angazhime të reja dhe Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi shpreson në mbështetjen dhe angazhimin e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha për të realizuar “ambicien e tyre të përbashkët”. Bëhet fjalë për përpjekjet për ta transformuar Mesdheun në një rajon paqeje, demokracie, bashkëpunimi dhe prosperiteti, pavarësisht vështirësive dhe skepticizmave. Kjo iu bë e ditur shefit të qeverisë shqiptare përmes një letre të dërguar nga Presidenti Sarkozi. Në letër, Berisha është falënderuar për rolin e tij aktiv në samitin “Bashkimi për Mesdheun”, i cili sipas Sarkozisë do të hapë rrugë dhe vrull të ri bashkëpunimi mes 43 vendeve anëtare. Sarkozi shkruan: “Zoti Kryeministër, pas samitit të Parisit për Mesdheun, dëshiroj t’ju falënderoj personalisht për rolin tuaj aktiv në suksesin që pati ky takim. Ishte shumë e rëndësishme që ky samit t’i jepte një vrull të ri bashkëpunimit përreth Mesdheut”. “Ne,- shton Sarkozi, - e arritëm këtë falë vullnetit politik të përbashkët për të nisur përpjekjet për ta transformuar Mesdheun në një rajon paqeje, demokracie, bashkëpunimi dhe prosperiteti, pavarësisht vështirësive dhe skepticizmave”. Më tej, Presidenti Sarkozi thekson se ky rezultat i jashtëzakonshëm sigurisht që nuk shënon një mbyllje, përkundrazi, ai shënon një premtim të ri, që i angazhon të gjithë. “Na takon tani të punojmë mbi këto baza të rinovuara për të realizuar projektet konkrete që u miratuan gjatë samitit, duke u bazuar në sistemin e ri e të hapur të drejtimit të nismës, që për shumë kohë ka qenë i ndërprerë. Ju mund të mbështeteni në vendosmërinë e Francës për të mbikëqyrur këto angazhime të reja, në cilësinë e saj si presidente e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në atë të bashkë-presidencës së Procesit të Barcelonës: Një Bashkim për Mesdheun”, - thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha. Presidenti Sarkozi vlerëson se “është themelore që dinamika e krijuar gjatë samitit të sjellë frytet e saj dhe që popujt tanë të mund të ndiejnë menjëherë rezultatet e para të vendimeve të marra në të”, duke shtuar se shpreson në mbështetjen dhe angazhimin e Berishës për të realizuar “ambicien e tyre të përbashkët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›