Nard Ndoka, tentativë për një koalicion të ri të djathtë
Me afrimin e zgjedhjeve të reja parlamentare të 2009-ës, tentohet një koalicion i ri brenda së djathtës. Demokristiani Nard Ndoka ka shtuar përpjekjet për krijimin e polit të katërt në politikën shqiptare. Kreu i PDK-së pretendon të mbledhë rreth tij të larguar nga PD-ja dhe partitë e djathta që kanë mbetur jashtë koalicionit qeveritar. Pas largimit nga qeveria, Nard Ndoka, tashmë është i bindur se do të dalë nga aleanca aktuale me PD-në për të krijuar një tjetër koalicion të qendrës së djathtë. Z. Ndoka konfirmoi dje se ka nisur negociatat me eksponentë të tjerë të këtij krahu të distancuar prej kohësh nga Kryeministri Berisha. Sipas tij, pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, koalicioni i ri do të ketë në përbërje të tij deputetët Spartak Ngjela, Gilman Bakalli dhe kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar z. Dashamir Shehi. “Për përkufizimin e termave të bashkëpunimit janë zhvilluar një sërë takimesh, dhe se pjesë e negociatave do të jetë dhe kryetari i BDI-së, Tahir Muedini”, - tha z. Ndoka. Ideja e një koalicioni të djathtë, ndoshta dhe të një partie të përbashkët mes Ngjelës, Shehit dhe Bakallit, qarkullonte prej kohësh, por tashmë bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në një koalicion me demokristianin Nard Ndoka, i cili po negocion prej ditësh për konkretizimin e kësaj nisme të re në politikën shqiptare. Nuk dihet ende nëse Nard Ndoka do të mund të finalizojë përpjekjet aktuale për një aleancë të re brenda së djathtës në zgjedhjet e reja parlamentare të 2009-ës. Në një situatë të tillë ndarjeje është dhe e majta e Edi Ramës, ku krahu kundërshtar i Partisë Socialiste do t’i duhet të ndajë votat me të Majtën për Integrim të Ilir Metës. Por afrimi i zgjedhjeve të reja të 2009-ës duket se do të sjellë lëvizje të reja dhe brenda së djathtës. Largimi i Nard Ndokës nga qeveria “Berisha” është bërë shkak për një nismë të re nga ana e tij që synon bashkimin e të pakënaqurve të PD-së në një koalicion të ri zgjedhor.