KQZ, polici private për kamerat, gjatë numërimit
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, hedh idenë e policisë private. Kundërshtohet nga PS-ja: Ta bëjë kompania që do kontraktohet
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve propozon polici private për zgjedhjet. Nuk bëhet fjalë për forca që do të përdoren për ruajtjen e rendit dhe objekteve zgjedhore ditën e votimit, siç mund të jenë qendrat e votimit apo komisionet e zonave të administrimit të zgjedhjeve, por për një numër të kufizuar policësh privatë për ruajtjen fizike të kamerave dhe serverëve, në ambientet para dhe gjatë numërimit të votave.
Ndalimi me udhëzim të veçantë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përdorimit të forcave të Policisë së Shtetit, qoftë edhe në ruajtjen e objekteve zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve, ka lënë zbuluar stacionet e numërimit të votave, ku do të ndodhen të instaluara dhe kamerat, me anë të të cilave do të bëhet monitorimi i procesit në GNV.
Rreziku për vjedhjen apo dëmtimin e tyre, si para ashtu edhe gjatë procesit të numërimit dhe pamundësia për t'i ruajtur ato me policët e rendit, ka detyruar KQZ-në që të mendojë për një zgjidhje të tillë.
Propozimi
Problemi i sigurisë së kamerave dhe serverëve ka dalë dje, gjatë diskutimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të udhëzimit për detyrat e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ushtrisë në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ka qenë pikërisht Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ai që ka hedhur një propozim të tillë, si një zgjidhje që nga njëra anë do të siguronte sistemin e monitorimit nga dëmtimet apo vjedhjet dhe nga ana tjetër nuk do të cenonte as procesin zgjedhor, siç mund të bënte, në rastin konkret, përdorimi i forcave të Policisë së Shtetit. "Këtu do të kemi një problem të vogël lidhur me procesin e montimit të kamerave.
Ne do të vendosim që ata (Policia e Shtetit) ta ruajnë që nga momenti i mbarimit të zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit. Por, problemi qëndron tek kamerat. Ne mund të organizojmë një ruajtje edhe me polici private. Mund të bisedojmë edhe për ndonjë patrullim nga ana e policisë, si zgjidhja më e thjeshtë", - tha Ristani.
Ndërkohë që lidhur me këtë debat, ka ndërhyrë dhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, i cili ka theksuar se një detyrë e tillë është e vet kompanisë dhe nuk ka pse KQZ-ja të bëjë shpenzime shtesë, për të kontraktuar polici private.
"Kamerat t'i ruajë kompania që do të marrë përsipër të shesë shërbimin e monitorimit të numërimit të votave me kamera. Le të jetë ajo që ta kontraktojë policinë private, pasi ajo do marrë lekët", - tha Gjonçaj. Propozimi për policinë private nuk është mirëpritur nga ana e përfaqësuesit të LSI-së, z. Muho në këtë komision, i cili ka deklaruar se edhe një veprim i tillë do të komprometonte procesin zgjedhor. "Ne kemi hallin e vjedhjes së votës dhe s'kemi hallin e kamerave", - tha Ilirian Muho.
Megjithatë, sipas Kryetarit Ristani, kjo mbetet një çështje për t'u zgjidhur në një moment tjetër, pasi të studiohet situata dhe pastaj do të të hartohet edhe udhëzimi përkatës, qoftë për një polici private, qoftë për një patrullim nga ana e Policisë së Shtetit.
Policia
Në rast se KQZ-ja do të vendosë për kontraktimin e një policie private për ruajtjen fizike të kamerave dhe mjeteve të tjera elektronike, që do të përdoren në procesin e monitorimit të numërimit të votave, atëherë do të lindë nevoja për një numër prej afro 200 forcash shtesë, duke patur parasysh se do të ruhen 66 salla të numërimit të votave, për 24 orë në ditë.
Kjo, për variantin e kontraktimit të policisë private nga ana e KQZ-së. Në këtë rast duhet të kihet parasysh edhe fakti se këto forca do të duhet të jenë në shërbim për më shumë se një muaj, pasi sistemi i kamerave, në bazë të udhëzimeve të mëparshme nga ana e KQZ-së, do të nisë të instalohet të jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve.
Ndërsa, në rast se ruajtja e objekteve që është parashikuar për numërimin e kamerave, do t'i lihet si detyrë kompanisë që do të ofrojë shërbimin e monitorimit, atëherë do të jetë pikërisht ajo që do të mendojë dhe për këto detaje, por natyrisht që kjo do të rrisë dhe vlerën e kontratës midis saj dhe KQZ-së.