E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha, shëmbëlltyra e politikës së dështimit

Reagon PS-ja, pas qëndrimit të Berishës. "Ai është udhëheqësi i koalicionit të Gërdecit"


TIRANË - Partia Socialiste ka vlerësuar dje se, pas 17 vjetësh nga 22 marsi i vitit 1992, shqiptarët ndihen më të zhgënjyer se kurrë nga qeverisja e Kryeministrit Berisha dhe kjo jo vetëm për '97-ën, por edhe për të gjithë ato fenomene që shoqëruan këtë qeverisje në 4 vitet e fundit.

Ky ka qenë reagimi i Partisë Socialiste, fill pas deklaratës së gjatë, të mbajtur dje nga Kryeministri Berisha, në kujtim të zgjedhjeve të 22 marsit 1992, të cilat sollën, për herë të parë në pushtet, Partinë Demokratike.

Në një deklaratë të posaçme, zëdhënësja e kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ka theksuar se 17 vite më parë shqiptarët dhe shqiptaret u bashkuan për t'i dhënë fund një lëngate të gjatë politike dhe për t'i dhënë jetë qeverisë së parë demokratike, dhe jo për të sjellë në pushtet një të keqe tjetër të madhe që, sipas saj, përfaqësohet nga Berisha.

"Sot, më 22 mars të vitit 2009, 17 vjet pasi mori mandatin për të udhëhequr rrugën e ndryshimeve demokratike, Sali Berisha është shëmbëlltyra e dështimit të politikës së vjetër dhe udhëheqësi i koalicionit të Gërdecit. Më 22 mars të vitit '92, shqiptarët nënshkruan një kontratë me Sali Berishën që t'i çonte në Europë, por në vitin 1997, Sali Berisha i fundosi, së bashku me kursimet e tyre, nën piramidat e paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të qeverisë së tij të parë",

- u shpreh Kodheli. Por, për selinë rozë, ky nuk është zhgënjimi i vetëm për shqiptarët, pasi përsëri më 3 korrik të vitit 2005, ata nënshkruan një tjetër kontratë me Sali Berishën, për të shpëtuar nga korrupsioni dhe varfëria, por ata u gjendën përballë atij që, zëdhënësja socialiste e quajti korrupsioni i oborrit kryeministror.

"Sali Berisha i zhyti ata dhe Shqipërinë edhe më thellë në varfëri e korrupsion, me paaftësinë e papërgjegjshmërinë e korrupsionin e oborrit të tij kryeministror. Sot, më 22 mars të vitit 2009, pas ndryshimit historik të 17 viteve më parë dhe zhgënjimeve e dështimeve që e shoqëruan gjatë këtyre viteve popullin shqiptar, në radhë të parë për shkak të Sali Berishës, ky njeri u kërkon shqiptarëve t'i besojnë për të tretën here, duke nënshkruar këtë radhë një kontratë me koalicionin e Gërdecit.

Nga 22 marsi i vitit '92, në 22 marsin e vitit 2009, Sali Berisha ka treguar se di vetëm të flasë pa pushim dhe pa pushim të bëjë të kundërtën e asaj që thotë", - u shpreh më tej Kodheli. Për të gjitha këto disfata që rendit, selia rozë është e vendosur që në zgjedhjet e 28 qershorit t'i thotë ndal këtij dështimi të përsëritur.

"Pas 98 ditësh, para qytetarëve do të jetë një zgjedhje e qartë mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes bashkimit të ri të qytetarëve në koalicionin tonë të madh dhe bashkimit të vjetër të kryetarëve", - tha Mimi Kodheli.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›