Berisha: Në Tropojë, Rama duhet të kërkonte falje
Kryeministri Berisha lëshon akuza ndaj opozitës. Flet për ngjarjet e '97-ës, gabimet e tij, dhe fton Ramën për apel të përbashkët për kartat
"Në Shqipëri, mafia e lidhur me regjimin, mbolli në vitin 1991 skemat piramidale dhe fondet piramidale"
TIRANË- Në 17-vjetorin e fitores së partisë së parë opozitare në vend, Kryeministri Sali Berisha doli dje në një konferencë për shtyp, ku bëri një përmbledhje kryesore të ngjarjeve, që prej vitit 1992. Edhe pse gjatë konferencës për shtyp, Berisha pranoi se kishte bërë gabime, gjatë gjithë fjalës së mbajtur, ai foli vetëm për suksese të së djathtës, duke lëshuar në të njëjtën kohë akuza të ashpra ndaj opozitës. E bëri këtë gjë kur foli për piramidat, ngjarjet e '97-ës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, turin e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke përfshirë edhe vizitën e këtij të fundit në Tropojë.
Piramidat dhe viti '97
Kryeministri Sali Berisha, deklaroi dje në konferencën për shtyp, se skemat piramidale, ndër të tjera, erdhën edhe si pasojë e paditurisë. "Në Shqipëri, mafia e lidhur me regjimin, mbolli në vitin 1991 skemat piramidale dhe fondet piramidale. Për shkak të mungesës së plotë të njohurive për to, mungesës së ligjeve për ndalimin apo kontrollin e tyre, mungesës së institucioneve rregullatore të tregut financiar jo bankar, mungesës së paralajmërimeve gjer në vitin '96-të për to, tolerancës së tyre nga qeveria, këto skema zhytën vendin në krizën më të rëndë financiare në historinë e tij",- tha dje Berisha. Ai shtoi se, "opozita, së bashku me malavitën dhe mafien e tyre, organizuan, pas bllokimit të tyre nga qeveria, rebelimin komunist dhe u vunë zjarrin institucioneve të shtetit demokratik, sollën në pushtet çaushët e krimit dhe adhamudhët e piramidave, kurse ne, populli i '92-shit, duke marrë përgjegjësitë tona, dolëm në opozitë".
Rama dhe Tropoja
Kryeministri Berisha, krahas përshkrimit të punës katërvjeçare të qeverisë së tij, u ndal edhe në veprimtarinë e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe mesazhit që ai po përcjell në çdo takim me qytetarët, për një bashkim të ri përtej së majtës dhe së djathtës. "Sot, ju në media thellësisht të kontrolluara nga politikanë dhe tellallë të tyre, dëgjoni çdo ditë refrenin e doktrinës politike fondamentaliste apo nihiliste, të mallkimit dhe mohimit të 17 viteve të fundit, si dhe thirrjet e bashkimit përtej së majtës dhe së djathtës",- tha ai. Berisha është pyetur dje edhe për vizitën e Kryetarit të opozitës, Edi Rama në Tropojë, vend të cilin, Kryeministri nuk e shkel prej vitesh. "Kisha shumë kënaqësi që Rama shkoi në Tropojë, por prisja që ai të kërkonte të falur. T'i kërkonte të falur Tropojës. Prisja që ai të shkonte në Tropojë, pasi të kishte marrë disa njohuri për atë vend. Dhe, po të kishte pasur vullnetin më minimal, do të gjente një gjë. Se, nga fillimi i shekullit të shkuar, deri në vitin 1997, numri i të vrarëve në Tropojë s'është as sa ¼ e atyre që janë vrarë gjatë viteve që Rama ka qenë ministër. Dhe janë vrarë nga uniformat e njerëzve të Ramës. Rama nuk ka qenë në ato pozicione në fakt, por Rama duhet t'u kërkonte të falur atyre nënave, familjeve, për varret që hapën bandat me uniforma policie", - tha ai. Berisha nuk iu përgjigj pyetjes se kur ai do të shkonte në Tropojë, duke theksuar vetëm se, me mendje, ai ishte në Tropojë çdo ditë, çdo javë.
Apeli për kartat
Kryeministri Berisha bëri thirrje që të gjithë qytetarët të pajisen me karta identiteti. Madje, ai propozoi që këtë apel ta bënte bashkë me kreun e opozitës, Edi Rama. "E ftoj Kryetarin e Partisë Socialiste të bashkërendojmë kohën, në të cilën të marrim këto letërnjoftime, meqenëse nuk jemi në gjendje civile të njëjtë. Ai nga gjendja civile e Pezës dhe unë nga e lagjes sime, në të njëjtën orë të lëshojmë të njëjtin apel ndaj shqiptarëve, për t'u pajisur me karta",- tha Berisha
Gabimet e Berishës
Duke folur gjatë, për 17 vjet ngjarje politike, Kryeministri Berisha është pyetur dje nga media, nëse kishte pendesa për vendimet politike, që kishte marrë në periudha të ndryshme. Ai pranoi se ka bërë gabime gjatë veprimtarisë së tij politike, por nuk komentoi se cilave gabime u referohej. "Vitet e para, një nga gjërat që unë kam përçmuar më shumë, ishte paraqitja e liderëve si të pagabueshëm, në një kohë që unë kisha bindjen më të thellë se aq sa jemi vdekatarë, aq jemi edhe të gabueshëm. Absolutisht nuk e kam nxjerrë kurrë veten time jashtë teorisë së gabimeve. Në mënyrë konstante, të vazhdueshme, bëj rishqyrtimin e veprimtarisë sime", - tha ai.