Bogdani: Rama të gjejë kurajon e të përshëndesë Bushin
Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, ka akuzuar dje kreun e PS-së, Edi Rama për heshtjen ndaj një akti historik për vendin, siç ishte firmosja nga Presidenti Bush e ligjit të votuar me unanimitet në Senatin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Me këtë rast Partia Demokratike i kërkon Ramës “që të gjejë forcën dhe kurajën, dhe të dalë të përshëndesë këtë akt historik, pasi përfaqëson edhe ata qindra apo mijëra socialistë që janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. “Lajmin e gëzuar për çdo shqiptar dhe mik të shqiptarëve e transmetuan në lajmet kryesore të gjitha rrjetet kryesore të botës, CNN, BBC dhe qindra media të tjera elektronike dhe të shkruara. Por, këtë lajm e censuroi totalisht gazeta e Edi Ramës dhe ndonjë simotër e saj, të cilët heshtën sot për të treguar moralin e tij të vërtetë antidemokraci dhe antishqiptar”, - tha dje Bogdani. “Sot hesht për këtë ngjarje madhore historike, edhe z. Rama, pinjoll direkt i nomenklaturës së kuqe, heshtën zyrtarët, ish-kryeministra dhe ministra, Mbrojtjeje a të tjerë, të qeverive socialiste, duke harruar se në anëtarësimin në NATO edhe Partia Socialiste ka kontributin e vet”, - deklaroi më tej zëdhënësi i PD-së. Sipas tij, kjo heshtje nuk është e rastit. Bogdani i kujton Ramës se “ftesës për anëtarësim në datën 3 prill, z. Rama iu përgjigj me mitingun e protestës me 4 prill, në të cilin u manifestua me slogane dhe flamuj të dalë boje dhe me portrete të Enver Hoxhës, por me asnjë flamur të NATO-s. Në shtator të këtij viti, kur në një akt të jashtëzakonshëm, Senati i Shteteve të Bashkuara, do të votonte në unanimitet protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, z. Rama do të transformonte vdekjen aksidentale në vrasje dhe në një akt makabër do të thërriste një miting proteste për të manipuluar me vdekjen e një njeriu. Gjatë tetorit, muaji që Presidenti Bush do të firmoste ligjin e Senatit për anëtarësimin e Shqipërisë, z. Rama do të nxiste mediat e tij dhe të gjitha lidhjet me krimin për të mashtruar shqiptarët me të ashtuquajturën çështja Fazlliç. Akoma më keq, do të sulmonte ish-këshilltarin më të Lartë për Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, që nga ngjarja e 11 shtatorit, z. Tom Rixh”.