E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama të tërhiqet nga manipulimi i prokurorisë



Partia Demokratike i kërkon kryesocialistit Edi Rama që të tërhiqet nga mania për keqpërdorjen e institucioneve të pavarura. Nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, i kërkoi dje, kryetarit të PS-së, Edi Rama, “që të respektojë institucionet e pavarura dhe shtetin ligjor”. “Dje dhe sot, - pohoi Bogdani, - kryehetuesi politik i vendit, z. Rama, sulmoi gjykatat, vendimet e tyre, kancelarët, shortin elektronik dhe gjykatësit, vetëm e vetëm se ata zbatojnë me korrektesë ligjin dhe shtetin ligjor të vendit”. Sipas Bogdanit, “kryetari i PS-së dhe njëkohësisht edhe kryehetuesi politik i vendit, mund të manipulojë dhe të shndërrojë në një instrument të tij ndonjë element të kapur nga krimi në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk mund të mposhtë ligjin dhe shtetin ligjor të këtij vendi". Në vijim të deklaratës së tij, përfaqësuesi i selisë blu, Gerti Bogdani, i kërkoi z. Rama, “të heqë dorë nga roli i shëmtuar i kryehetuesit, se ai dhe instrumentet e tij nuk do të mund të fshehin me asgjë lidhjet e tyre me krimin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›