E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, Meta i kërkon Ramës takim



Sipas tij, Berisha është dakord të ndryshojë Kodi

Është Rama ai që ka vënë veton kundër LSI-së

LSI-ja nuk tërhiqet nga misioni i saj politik për të ndryshuar Kodin e ri Zgjedhor në pjesën e administrimit të zgjedhjeve, për të cilën ajo akuzon PS-në se në bashkëpunim me PD-në i ka hequr përfaqësuesit e saj nga ky proces. Pasi ka dështuar që të bindë ish-aleaten e saj socialiste për të hyrë në negociata pak ditë para se ky kod të miratohej në Kuvend, tashmë kreu i kësaj partie ka vendosur të përdorë dhe kartën e fundit politike për të mundësuar bisedimet dypalëshe. Ilir Meta ka ftuar dje Edi Ramën publikisht në një takim për të diskutuar për këtë çështje. Këtë ftesë Meta ka zgjedhur ta bëjë nga rrethi i Matit ku ndodhej në një takim me të rinjtë në qytetin e Burrelit. Meta e ka bërë Ramën përgjegjësin kryesor për largimin e LSI-së nga procesi i administrimit të zgjedhjeve. Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin bërë me dije se nga pala qeverisëse nuk ka pasur vullnet politik kundër LSI-së në këtë proces, por ka qenë kreu i PS-së që ka vendosur veton kundër partisë tjetër aleate.

Ftesa e Metës

“Duke qenë se ndaj të njëjtin mendim me ju dhe jam i bindur me shumicën e shqiptarëve në këtë çështje, unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t’i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t’u takuar dhe për t’i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të”, - tha Meta dje gjatë takimit me të rinjtë matjanë. Më tej, ai zbardhi takimet me ndërkombëtarët për këtë çështje nga të cilët ishte sqaruar dhe për qëndrimin e Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. “Mua më vjen shumë keq, - tha Meta, - që kur takohem edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian, dhe me shumë personalitete ndërkombëtare, të cilët më thonë që ne zoti Meta kemi folur me Kryeministrin Berisha për këtë çështje, sepse i kuptojmë shqetësimet tuaja. Ne kemi folur dhe me ministrin e Jashtëm, zotin Basha, por jemi në një pozicion të vështirë, sepse edhe Kryeministri Berisha, edhe ministri i Jashtëm Basha, na thonë se shqetësimet që ngre LSI-ja janë të drejta dhe se LSI-ja, si forca e tretë politike që është në vend, duhet të jetë e përfaqësuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve me të drejta të plota, pasi kjo është një e drejtë që i takon dhe së dyti, sepse ne nuk duam që të kontestohen zgjedhjet. Por, Berisha dhe Basha kanë deklaruar se ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë kryetarit të PS-së, zotit Rama, sepse ai na thotë nuk e votojmë Kodin në rast se LSI-ja nuk mbetet pa komisioner në procesin e administrimit”. Në këtë mënyrë, kreu i LSI-së fajëson drejtpërdrejt dhe vetëm kreun e PS-së për këtë problem. Ai ngre pyetjen: “A i shërben kjo bashkëpunimit brenda së majtës dhe forcave progresiste?”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›