E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, Meta akuzon Ramën

Burrel (start)-Lideri i LSI, Ilir Meta ka zhvilluar sot paradite një takim mjaft entuziast me qindra të rinj të rrethit të Matit. Meta deklaroi se do të bënte një sforco tjetër dhe të kërkonte një takim me Kryetarin e PS-së, z.Rama, që të diskutojë me të për garantimin e standardeve ndërkombëtare për realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta. Meta ka akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e PS-së, Edi Rama si shkaktarin kryesor, i cili nuk ka pranuar që LSI-ja të ketë komisionerë në procesin e numërimi të votave.

“Mua më vjen shumë keq, kur takohem edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe me shumë personalitete ndërkombëtare, të cilët më thonë që ne Meta kemi folur me Kryeministrin Berisha për këtë çështje, sepse i kuptojmë shqetësimet tuaja. Ne kemi folur dhe me ministrin e Jashtëm, zotin Basha, por jemi në një pozicion të vështirë, sepse edhe kryeministri Berisha, edhe ministri i Jashtëm Basha, na thonë se shqetësimet që ngre LSI janë të drejta, dhe se LSI, si forca e tretë politike që është në vend, duhet të jetë e përfaqësuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve, me të drejta të plota, pasi kjo është një e drejtë që i takon, dhe së dyti sepse ne nuk duam që të kontestohen zgjedhjet. Por, Berisha dhe Basha kanë deklaruar, se ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë Kryetarit të PS, zotit Rama, sepse ai na thotë nuk e votojmë Kodin në rast se LSI, nuk mbetet pa komisioner në procesin e administrimit”-theksoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›