E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi nderohet me titullin “Kalorësi i Paqes së Mijëvjeçarit”

06/12/2008  Presidenti i Republikës viziton Milanon

Presidenti i Republikës Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë Teuta Topi nisi dje një vizitë në qytetin e Milanos, Itali, i ftuar nga Qendra Ndërkombëtare për Paqen mes Popujve. Kjo qendër pritet ta nderojë kryetarin e shtetit me titullin e lartë “Kalorësi i Paqes së Mijëvjeçarit”. Ky titull ndërkombëtar jepet për kontributin e shquar dhe rolin e rëndësishëm moderator të kreut të shtetit në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, si dhe në ruajtjen e ekuilibrave në arenën politike shqiptare dhe në atë rajonale në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit. Në takimin e tij të parë me Presidentin e rajonit të Lombardisë Roberto Formigoni, ai përshkroi klimën e favorshme dhe kuadrin e përshtatshëm ligjor për tërheqjen e investimeve të huaja, duke theksuar se mundësitë e investimeve lombarde dhe bashkëpunimi ekonomik janë shumë të mëdha në fusha si energjetika, infrastruktura, duke përmendur veçanërisht Korridorin 8, turizmin bregdetar etj. Ndërsa Formigoni theksoi se rajoni që ai drejton dhe investitorët italianë janë të hapur dhe të gatshëm për të shikuar mundësitë e rritjes së pranisë së tyre në tregun e favorshëm shqiptar. Në takim ishte i pranishëm edhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Spartak Topallaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›