E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKRT dhe OSBE, përpjekje për dixhitalizimin e TV-ve lokale

KKRT-ja dhe OSBE-ja organizuan dje në Vlorë, konferencën rajonale “Shqipëria dixhitale – sfida e së ardhmes”. Rreth 60 radiotelevizione që veprojnë në zonën jugore të Shqipërisë, i dhanë në Vlorë KKRT-së një paketë propozimesh për dixhitalizimin e transmetimeve tokësore brenda katër viteve të ardhshme. Propozimet pasuan disa pikëpyetje që ato ngritën për pajisjet e reja dixhitale që do të duhet të blejnë, kostot, vendin, mënyrën e përdorimit, specialistët etj. Mbledhja e propozimeve në Vlorë u bë e mundur gjatë turit që kanë ndërmarrë së bashku në të gjithë vendin, KKRT-ja dhe OSBE-ja. Dy institucionet po bashkëpunojnë ngusht për realizimin e një misioni të përbashkët, atë të këshillimit me publikun e gjerë për dixhitalizimit e transmetimeve radiotelevizive në Shqipëri. Pasi realizuan me sukses dy konferenca, një kombëtare në Tiranë dhe një rajonale në Shkodër, në fokus janë televizione të tjera vendore, kabllorë e radio, të shtrira në Fier, Berat, Vlorë, Lushnje, Pogradec, Përmet, Korçë, Gjirokastër etj. Kryetarja e KKRT-së, në fjalën e hapjes së konferencës, u tha të pranishmëve se “jemi këtu pikërisht për të gjetur e përcaktuar format më optimale të bashkëpunimit, që do të finalizohen me ndërtimin e platformave lokale, rajonale e kombëtare, ku do të mbështeten me prioritet programet ekzistuese dhe, pas tyre, programet e reja të përgjithshme apo tematike, sipas kërkesave të tregut dhe preferencave të audiencës”. Ndërsa zv.kryetari i Prezecës së OSBE-së, z. Finnen, nga ana e tij shprehu bindjen se “një proces konsultimi i gjerë dhe gjithëpërfshirës është një parakusht e gjithashtu, një element i vazhdueshëm për suksesin përfundimtar të procesit të dixhitalizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›