Bogdani: Takimi i Ramës, me punonjës të kërcënuar
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka reaguar dje pas takimit të kryetarit të bashkisë, Edi Rama, të bërë në Pallatin e Kongreseve. Bogdani lëshoi akuza ndaj kryebashkiakut. Ai tha se takimi i ditës së djeshme u bë me njerëz të administratës dhe mësues çerdhesh e kopshtesh, që sipas tij, ishin kërcënuar me vendin e punës në rast se nuk merrnin pjesë në takim. “Takimi i sotëm i sforcuar i z. Rama, me punonjës të bashkisë dhe edukatore çerdhesh dhe kopshtesh, të kërcënuar me vendin e tyre të punës me listë-prezencën në takim, nuk mund t’i shërbejë si alibi z. Rama për mosmiratimin e buxhetit të bashkisë për 2009. Z. Rama duhet të kuptojë se buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 nuk është votuar në Këshillin Bashkiak, sepse nuk parashikon ngrohjen në shkolla, nuk parashikon ndërtimin e banesave sociale – problem ky që z. Rama për 9 vjet me radhë ka dështuar ta zgjidhë, për më shumë se 3000 familje të pastreha në Tiranë, nuk parashikon ndërtimin e qendrave sociale dhe për më tepër nuk parashikon krijimin e mundësive të punësimit për qytetarët e Tiranës”, - tha Bogdani. Zëdhënësi i selisë blu përsëriti kërkesën e PD-së për dorëheqjen e Ramës nga kreu i bashkisë më të madhe të vendit. Sipas Bogdanit, Rama ka humbur tërësisht besimin tek qytetarët. “Z. Rama duhet të kuptojë se buxheti i Bashkisë së Tiranës nuk është votuar në Këshillin Bashkiak, sepse z. Rama nuk denjon të marrë pjesë dhe ta mbrojë atë në mbledhjet e Këshillit. Dhe ky takim i sotëm i sforcuar dhe me detyrim, nuk shërben për gjë tjetër, veçse që punonjësit e bashkisë të shohin z. Rama live pas kaq kohësh që ai e ka braktisur Bashkinë e Tiranës. Z. Rama duhet të kuptojë që ai tashmë e ka humbur besimin si kryetar i bashkisë, sepse ky buxhet përfaqëson nevojat e qytetarëve të Tiranës dhe kërkesat e njësive bashkiake të Tiranës dhe zgjidhja e duhur për të është të japë dorëheqjen. Z. Rama duhet të kuptojë se ka kaluar koha e komunizmit, kur gjysmë-daja i tij, Sofo Lazri, në një kohë kur shqiptarët vuanin nga uria, kthehej në Shqipëri me çmimin botëror të ushqimit. Nëse z. Rama mendon se shqiptarët mund të gënjehen ende si në atë kohë, atëherë ai duhet, e theksojmë, duhet të japë dorëheqjen”, - përfundoi deklaratën zëdhënësi Bogdani.