Sot nis punën Kuvendi
Parlamenti shqiptar do të rinisë sot punë pasdite ku në axhendën e tij do të ketë një përmbledhje të sesionit të kaluar në debate të lira mes deputetëve. Ky sesion është më i rëndësishmi dhe i fundit për shkak se mbahen zgjedhjet në fund të qershorit. Në kalendarin e miratuar, Parlamenti do të vijojë me shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme, të mbartura nga sesioni i mëparshëm, si projektligji "Për administratën gjyqësore", projektligji "Për gjykatat administrative", si dhe nisma të tjera të propozuara nga qeveria që lidhen me projekte për ekonominë. Gjatë kësaj periudhe pritet raportimi vjetor në Kuvend i drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe organeve të tjera në varësi të Parlamentit për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2008. Njëkohësisht, pritet të miratohen anëtarët e rinj të KQZ-së, si dhe 5 anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare.