E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Shqipëria, vend me demokraci të brishtë



Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, deklaroi se Shqipëria ndodhet në grupin e tretë midis 165 vendeve të botës dhe 49 vendeve evropiane, për sa i takon indeksit të demokracisë. Islami tha se kjo renditje është publikuar në revistën më prestigjioze në botë për ekonominë, "The Economist". "Në të është botuar indeksi i demokracisë për 165 vende të botës, të ndara në katër grupe: në demokraci të plota, demokraci me defekte, demokraci hibride dhe grupi i fundit i sistemeve autoritare". Sipas Islamit: "Shqipëria ndodhet në një grup me Irakun, territoret e Palestinës, Bangladeshin, Zambian, Libanin, Mozambikun, Kamboxhian, Kenian e Kirkistanin, Etiopinë dhe Venezuelën", - tha ai duke shtuar: “Ju duhet të jeni të ndërgjegjshëm se në fund të vitit 2008, jetoni në një demokraci hibride, demokraci të përzier me elementë autoritarë. Dhe kjo nuk ndryshuar që nga viti 2006 kur është kryer ky studim për herë të parë”.

Sipas Islamit, Shqipëria është klasifikuar si vend me demokraci hibride e në këtë grup futet në 2008-ën edhe Shqipëria me qeverisjen e Berishës për të cilën çdo ditë dëgjohet se po ndryshon, se është vendi i parajsës fiskale, se është vendi me rritjen më të lartë ekonomike, e tjera e tjera mashtrime pa fund.

“Nga të gjithë këta tregues, Shqipëria ka më të ulëtin treguesin e funksionimit të qeverisjes, pra atë që Berisha e mburr me të madhe në sloganin “Shqipëria po ndryshon”. Shqipëria e ka treguesin e funksionimit të qeverisë të njëjtë me Bangladeshin, Mozambikun, Senegalin, Zambian, Malavin, Butanin, deri me Kuben që ndodhet në grupin e vendeve autoritare”, - tha Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›