Detyrimi nga KE-ja, Bumçi: Gjyqtarët, jo me konflikt interesi
Dërgimi i ligjit të dosjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese ka ngritur debatin në lidhje me konfliktin e interesit të disa gjyqtarëve në këtë gjykatë. Praktikisht, disa prej këtyre gjyqtarëve do t’u duhet të japin një mendim për ligjin, i cili i prek ata në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në kushtet kur juristët japin një mori arsyesh dhe zgjidhjesh, Këshilli i Evropës, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, ka miratuar një rezolutë ku detyron zgjidhjen e situatave të tilla. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, mbajti dje një konferencë shtypi ku trajtoi këtë rezolutë si dhe 10 parimet e saj, të cilat sipas tij, për Shqipërinë janë detyruese. Që në fillim të fjalës së tij, Bumçi tha se kjo rezolutë që duhet të zbatojë Shqipëria, parashikon se të gjithë njerëzit e drejtësisë “duhet të jenë figura me integritet dhe të paanshëm, bazuar kjo dhe në rezolutën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës” dhe sipas tij, “gjyqtarët duhet të jenë të paanshëm dhe me integritet edhe në perceptimin publik”. Deputeti i PD-së u ndal më tej në këtë rezolutë duke shpjeguar parimet e saj. “Sjellja e tyre duhet të jetë konsistente, në përputhje me karakterin moral të lartë që është një kriter për detyrën e gjyqësorit. Gjyqtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë për detyrën e tyre, për të mbajtur lart qëndrimin dhe reputacionin e gjykatës. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka miratuar 10 parime bazë mbi të cilat duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit, ndër të cilat veçoj parimin e paanshmërisë të gjyqtarëve dhe të integritetit të tyre moral. Pra, jo vetëm të sillen dhe të japin drejtësi, por edhe dukja e sjelljes së tyre duhet të jetë e tillë”, - tha Bumçi. Deputeti i PD-së tha më tej se kjo rezolutë vendos theksin në këto ky pika, pra paanshmëria si dhe integriteti i njerëzve të drejtësisë. Sipas tij, pa këto dy parime dhe elemente, nuk mund të flitet për një drejtësi të pavarur. Ai shtoi se konflikti i interesit mund të ndalet vetëm në rast se kjo rezolutë merret parasysh. Ajo shmang konfliktet e interesit, një tjetër pikë që Bumçi mori parasysh detyrimin e kësaj rezolute të KE për Shqipërinë. Ai tha se si vend anëtar i këtij Këshilli, zbatimi i rezolutave të tij, është një detyrim. “Vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë të detyrueshme për t'u zbatuar dhe shtetet anëtare raportojnë rregullisht në KE për zbatimin e tyre”, - shtoi Bumçi. Sipas tij, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një nga institucionet më të rëndësishme të kontinentit evropian. Vendimet e saj kanë autoritet mbikombëtar mbi sistemin gjyqësor të vendeve anëtare, për të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës.