Bogdani: Tri fobitë e Edi Ramës
PD-ja i kundërpërgjigjet oponencës së opozitës se arritjet e qeverisë janë fobitë e kryesocialistit Edi Rama. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, renditi tri nga këto fobi, teksa kritikoi të majtën se ndryshe nga qeveria, po përcjell frymë negative nga selia rozë. “Duket qartë se tri janë fobi të forta të z.Rama. Rruga Durrës-Kukës-Morinë, rritja e rrogave dhe pensioneve dhe, pa diskutim, mosha dixhitale. Sipas Bogdanit, optimizimi i kësaj qeverie është më pozitiv se fryma negative që del nga selia rozë. Shqipëria në vitin 2005 renditej e fundit në botë për përdorimin e internetit me rreth 4.7 për qind. “Sot kjo shifër është në vlerat 18 për qind dhe Shqipëria renditet e para në botë për sa i përket ritmit të rritjes së përdorimit të internetit. Sot në Shqipëri po aplikohen me sukses dhe po hapen me shpejtësi kabinetet e informatikës në shkolla, regjistrimi online i bizneseve, regjistri online i penaliteteve, taksat online, po ashtu dhe prokurimi publik”, - tha z.Bogdani. Së fundi, shtoi ai, dhe zyrat e Gjendjes Civile elektronike, me arritjen më të re, atë të certifikatave dixhitale.