Gjana: Kthimet në PD, të motivuara
PD-ja mirëpret rikthimin në radhët e saj të ish-të larguarve nga kjo parti vite më parë, me argumentin se largimet nuk ishin të motivuara. Njëri nga anëtarët e kabinetit qeveritar, ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, flet për formulën e bashkimit të së djathtës shqiptare në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, teksa përkrah dhe modalitetin e shkrirjes së disa partive me PD-në. Gjana e sheh si një veprim normal rikthimin e Genc Pollos në PD, shoqëruar me shkrirjen e PDR-së. Madje ai thotë se Pollo nuk kishte asnjë arsye të fortë për të cilën braktisi para 9 vitesh Partinë Demokratike. “Ajo çfarë mund të them me siguri (si një njeri që nuk është larguar kurrë nga strukturat e PD-së), konsideroj se edhe largimet nuk kanë qenë largime të motivuara. Bashkimet janë më të motivuara se largimet. Nuk kam gjetur kurrë arsye të largimit”, - u shpreh z.Gjana. Mundësia e shkrirjes së PDR-së së drejtuar nga Pollo me PD-në, rindezi debatin se cilat parti të djathta do të vepronin në të njëjtën mënyrë apo do të ridimensionin në formën e federatës marrëdhëniet me partinë që qeveris vendin. PR-ja e Mediut deklaroi qartë para pak ditësh se përjashton mundësinë e shkrirjes, por mbështet idenë e krijimit të federatës, një kërkesë kjo e hershme e saj. Z.Gjana bëri dje të ditur se marrëdhëniet mes aleatëve duhen rikonceptuar. “Ristrukturimi, modaliteti i funksionimit të së djathtës, të strukturave të saj, të partive të së djathtës, qoftë në një proces shkrirjeje të brendshme të disa prej tyre, qoftë me një modalitet të ndërtimit të një strukturimi më funksional do të jenë më të domosdoshme. Veçanërisht po të kemi parasysh dhe faktin që pas dy dekadash tashmë Shqipëria i largohet sistemit mazhoritar elektoral dhe për herë të parë do të zbatojë në 2009-ën sistemin proporcional. Modeli dhe modalitetet janë tek të tjerët, janë tek e djathta franceze, kanë qenë tek e djathta italiane, janë tek e djathta italiane në një formë tjetër”, - u shpreh z.Gjana. Në këtë mënyrë sipas tij, nuk është se mungojnë modelet. Para pak ditësh lideri demokrat Sali Berisha bëri të ditur se mbetet i hapur që të diskutojë me aleatët të gjitha opsionet duke mos përjashtuar asnjë formë të bashkëpunimit mes palëve.