E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Unë e dua Shqipërinë, s’do e tradhtoja kurrë

 

Fati zgjodhi Romën, kryeqytetin e ëndrrave, për “Princin e Epirit”, që ishte prej kohësh në kërkim të skeptrit dhe të kurorës. I mungonte një shkëndijë, një sinjal i fortë që t’ia riniste nga e para. Fati e ndihmoi duke i servirur në një pjatë të argjendtë një shans tjetër, atë kundër Lacios. Gjithçka nisi nga ajo thirrje e trajnerit Di Karlo, që e çoi nga stoli dhe e futi në fushë. Erjonit iu desh të përdorte kokën dhe e bëri një gjë të tillë, duke e dërguar topin në rrjetë. Rigjeti golin, por humbi edhe dy raste të tjera për të shënuar. Këto të fundit kanë vlerë vetëm sa për statistikë, pasi nuk mund ta zbehin atë paraqitje të shkëlqyer që bëri të dielën.
Çfarë menduat kur trajneri Di Karlo ju tha: e ke radhën ti?
Më doli shansi, duhet t’ia dal mbanë se s’bën. Dhe ia dola...
Duhej të shënonit gol. Ia dolët mbanë, po pastaj?
Mendova: për fat u riktheva. Humba disa mundësi të tjera për të shënuar, por e ndiej se gjërat tani morën kthesë.
Deri në atë moment kishit menduar që të largoheshit nga Kievo, apo jo?
Normale, nuk luaja. Kur nuk luan, të vijnë në kokë mendime të ndryshme. Në moshën 32-vjeçare duhet të mendoj që të luaj sa më shumë. Madje kisha filluar të mendoja për sezonin e ardhshëm. Në këto kushte, po shqyrtoja mundësinë për të gjetur një tjetër alternativë, ndoshta një ambient tjetër.
Ky gol a i ndryshon gjërat?
Goli të ndihmon dhe shpresoj që të kem mundësi të tjera për të luajtur. Shpresoj që në ndeshjet në vazhdim të luaj si titullar dhe të ndihmoj Kievon që të mbijetojë në Serinë A. Në fund të sezonit do mendojmë më gjatë për këtë.
Ju, ama, mund të kishit shkuar te Lacio në janar.
Më falni, por po ju them se nuk ishte zgjidhje ajo. Të shkoja i huazuar? Jo, faleminderit. E pësova njëherë si i huazuar, vitin e kaluar, kur isha te Livorno. Te Lacio do të përballesha me një konkurrencë akoma më të ashpër, pasi përballë do të kisha sulmues si Roki, Pandev e Zarate. Duhej gjithashtu të ambientohesha, të përshtatesha me sistemin e tyre; me pak fjalë, duhej t’ia nisja nga e para. Preferova të qëndroj në Verona, duke tentuar t’i provoj shanset e mia deri në fund.
Ju jeni një shqiptar shumë i famshëm. Gjatë nëntë viteve në Itali, nuk keni pasur asnjëherë probleme për t’u përshtatur?
Kurrë. Në fillim isha pak i ndrojtur, por më pas e kuptova se në fushë ishin të gjithë njësoj. Këtu tifozët i masakrojnë edhe lojtarët italianë, kur nuk luajnë mirë. Atëherë mendova që t’i përkushtohem vetëm punës sime.
A mendoni se jeni shqiptari më i njohur në arenën ndërkombëtare?
Të mos e ekzagjerojmë tani. I pari është presidenti ynë i republikës. Pastaj, ka edhe shumë lojtarë të tjerë shqiptarë që luajnë prej vitesh në perëndim, siç janë Lala te Hanoveri, Skela te Kotbusi dhe Cana te Marseja.
Duke marrë shkas nga fiziku dhe pamja që keni, nuk kemi menduar ndonjëherë të bënit aktorin, apo modelin?
Më ka rastisur të takoj në të kaluarën persona që më kanë pyetur nëse isha aktor. Më është bërë qejfi, por unë gjithsesi preferoj futbollin.
Nëse do t’ju duhej të aktronit, kë do të zgjidhnit si partner në një film?
Robert De Niron.
Ju jeni diplomuar në fakultetin e Ekonomisë, si mendoni ta shfrytëzoni diplomën tuaj në të ardhmen?
Duke bërë biznes, por më parë duhet të njihem me të gjitha sekretet e këtij profesioni. Mund të bëhem një sipërmarrës dhe të punoj si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.
Keni menduar se ku do donit ta mbyllnit karrierën tuaj si futbollist?
Ndonjëherë, por momentalisht dua të mendoj vetëm për të tashmen. Jam në gjendje që të luaj në nivele të larta edhe për të paktën tre vjet.
Duke pasur parasysh famën që keni në atdheun tuaj, nuk keni menduar ndonjëherë që në të ardhmen të merreni me politikë?
Kohë më parë e kam menduar edhe këtë, por më pas i thashë vetes: ke luftuar një jetë të tërë për të pasur respektin e të gjithëve. Nëse i futesh politikës tani, nuk do të kishte kuptim. Do të humbisja një pjesë të atyre që kanë respekt për mua. Më mirë të jem futbollist dhe t’i përkushtohem sportit. Dua të qëndroj kështu si jam.
Nga se keni frikë?
Nga lartësitë, fluturimet, avionët. Edhe herën e fundit që udhëtuam drejt Romës, nuk është se u ndjeva mirë.
Jeni duke lexuar ndonjë libër?
Kohët e fundit nuk kam pasur kohë për të lexuar. Ndoshta pak më vonë.
Cili është komplimenti më i bukur që ju kanë bërë?
Zakonisht komplimente të tilla marrë nga menaxheri im, Alesandro Moxhi. Më thotë gjithnjë fjalë që më inkurajojnë.
Po fyerja më e rëndë?
Ti nuk më dukesh futbollist... Po nuk dua ta them se kush ma ka thënë këtë.
Nëse do të kishit mundësi të ndërronit nënshtetësinë, a do ta bënit këtë për të veshur një fanellë tjetër?
Jo, këtu nuk kam asnjë dyshim: në zemrën time ekziston vetëm Shqipëria. Nuk do të ndërroja mendje edhe sikur të më premtonin se do të luaja titullar në çdo ndeshje me përfaqësuesen italiane.
Jeni zënë me grushte me ndonjë shok skuadre?
Nuk e mbaj mend....
Goli që ëndërroni?
Të dielën kundër Palermos. Shënoj dhe i jap fitoren skuadrës. 
(Marrë nga “L’Arena”)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›