Mostra Fritzl pranon të gjitha akuzat pas videos të së bijës
Babai dhunues dhe burgosës i së bijës për 24 vjet në Austri, Josef Fritzl, ka pranuar në procesin gjyqësor të hapur të hënën, në St. Poelten, të gjitha akuzat e ngarkuara kundër tij, përfshirë edhe atë për vrasje, e cila ishte e vështirë për t’u vërtetuar. 73-vjeçari, babai i shtatë fëmijëve-nipër të lindur nga incesti me të bijën, akuzohej për sekuestrim, përdhunim, incest, vrasje dhe skllavëri. Dy akuzat e fundit Fritzl i kishte mohuar deri një ditë më parë. Akuza e vrasjes i përket vdekjes së një prej fëmijëve të incestit vetëm pak orë pas lindjes, gjë që mund ta çojë atë drejt dënimit me burgim të përjetshëm. Ai ka lënë të vdiste foshnjën nga problemet e frymëmarrjes pa e dërguar në spital për ndihmë. Më pas e ka hedhur në zjarrin e sobës trupin e pajetë të foshnjës për ta djegur. Fritzl ka deklaruar gjatë seancës së djeshme gjyqësore se ai është penduar për të gjitha aktet e kryera, pasi ka parë një video të së bijës. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që ai i kishte pranuar edhe akuzat, të cilat mund të evitonte dhe kishte pothuajse sigurinë se nuk do të provoheshin kurrë, ku hyn edhe akuza për vrasje. Në një pyetje bërë nga gjyqtari, Andrea Humer, nëse do të kishte ndryshuar ndonjëherë sjellje Fritzl është përgjigjur se “Dëshmia e filmuar e vajzës sime më ka bërë të pendohem”. Pas kësaj ai ka përsëritur frazën që tha që në hapjen e procesit: “Deklarohem fajtor për të gjitha akuzat e shkruara në padi, pranoj se jam fajtor dhe pendohem për këtë”. Duke folur mbi foshnjën e vdekur 70 orë pas lindjes në vitin 1996, Fritzl, i cili kishte refuzuar ta dërgonte në spital tha se “Duhej të kishte bërë diçka”.