E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria legalizon vilën e Ylli Pangos

 

Vila e famshme, disa herë, e ish-ministrit Ylli Pango, ka qenë pa leje. Dje qeveria vendosi të legalizojë banesën më të përgojuar ndonjëherë të një pushtetari. Në listat e ALUIZNI-t që morën OK për kalimin e pronësisë, ishte edhe shtëpia trekatëshe e ish-ministrit të Kulturës. Vila e cila ndodhet pranë Qytetit Studenti ka qenë pa leje, që nga ndërtimi i saj. Por ky është problemi më i vogël. Kjo ndërtesë ka disa vite që tërheq vëmendjen e mediave. Ajo është bërë publike për herë të parë, pas atentatit ose shpërthimit të bombës në vitin 2003. Atëherë Pango ishte viktima. Sidoqoftë, vila e Pangos mban mbi vete edhe skandalin më të madh seksual në hierarkinë e shtetit shqiptar. Shtëpia me oxhak, ku Pango joshte gazetaren e “Fiks Fare” ka një sipërfaqe ndërtimi, në bazë të saj, prej 166 metrash katrorë. Dhe në këtë rast, Pango ishte i akuzuari. Sidoqoftë, deri tani kjo është vila më e famshme, që ka marrë OK nga qeveria për t’u legalizuar. Sipas të dhënave të ALUIZNI, Ylli Vito Pango, ka dy parcela toke me sipërfaqe 161.4 dhe 100.6 metra katrorë. Mbi këtë tokë ai ka ndërtuar një shtëpi trekatëshe me bodrum, me një sipërfaqe bazë prej 160 metrash katrorë. Pango, ashtu si edhe qytetarët e tjerë duhet të paguajë detyrimet dhe më pas të shkojë në Hipotekë dhe të marrë tapinë e shtëpisë dhe të tokës. Në listën e legalizimeve shtëpia e Pangos bën pjesë në legalizimet e njësisë bashkiake nr. 2 me numër pasurie 6/250 me sipërfaqe 161.4 m2 dhe 6/251 me sipërfaqe 100.6 m2. Vetëdeklarimi i ndërtimit pa leje nga ana e Ylli Pangos mban numrin 1406, në listat e ALUIZNI-t.
Legalizimet
Përveç shtëpisë së Pangos, dje Qeveria vendosi kalimin e pronësisë edhe për 1107 familje në tetë qarqe të vendit. Kalimi i pronësisë bëhet edhe për sipërfaqen e tokës. Në total janë 391 mijë m2 truall, që do të kalojnë në favor të “pronarëve” të rinj. Në Tiranë legalizohen edhe ndërtimet pa leje brenda qytetit në njësinë bashkiake 8, 2, 4. Në total për Qarkun e Tiranës do të legalizohen 121 mijë m2 truall. Në Qarkun e Beratit legalizohen 8354 m2 truall, në Qarkun e Dibrës, 30580 m2, në Qarkun e Gjirokastrës 4425 m2, në Qarkun e Durrësit, 132.5 mijë m2, në Qarkun e Elbasanit 28 mijë m2, në Qarkun e Fierit, 3641 m2 dhe në Qarkun e Vlorës 61 mijë m2 truall. Pas botimit në fletoren zyrtare të gjithë të legalizuarit do të marrin dokumentin e kalimit të pronësisë. Pas kësaj faze ata duhet të paguajnë paratë e legalizimit dhe më pas të shkojnë në hipotekë për të regjistruar pronën në emrin e tyre. Në rast se paratë paguhen në një herë të vetme, pra pa këste, atëherë vlera ulet me 20 për qind.

391 mije
metra katrorë troje kalojnë në pronësi në “pronarëve” të rinj në Qarkun e Tiranës, Beratit, Durrësit, Dibrës, Elbasanit, Fierit dhe Vlorës, 1107 persona kanë marrë OK nga qeveria për kalimin e pronësisë. Pasuritë e tyre tani do të legalizohen dhe regjistrohen në hipotekë pas pagesës së tarifave

PER TE LEXUAR LISTEN E PLOTE SHKARKONI VERSIONIN PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›