E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e Kosovës “sundon” axhendat diplomatike

 

Kosova këtë javë rikthehet në axhendën ndërkombëtare me një javë të ngjeshur diplomatike. Shefi i misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, Yves de Kermabon, pritet që të qëndrojë në Beograd më 19 mars, në kuadër të “vizitave në kryeqendrat e vendeve të rajonit”. Ndërkohë zyrtarë të EULEX-it vlerësojnë se De Kermabon do të takojë ministrat serbë të drejtësisë, policisë dhe të financave në kuadër të takimeve teknike. Vizita e Yves de Kermabon në Beograd është e para e këtij niveli, që kur është vendosur misioni i EULEX-it në Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar. Vizita e zotit De Kermabon në Beograd bëhet pak ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e paraparë më 23 mars, në të cilën besohet se do të diskutohet për një plan 6 pikësh të OKB-së, i cili është kundërshtuar nga autoritetet e Prishtinës. Ky plan iu ofron serbëve të Kosovës, posaçërisht në veriun e saj, një autonomi më të zgjeruar në fushën e policisë, drejtësisë dhe të doganave. Sipas zëdhënëses së EULEX-it, Karin Limdal, një raport i misionit për punën e tij në tre muajt e parë i është dërguar OKB-së, përmes BE-së, por sipas saj, ky mision nuk do të raportojë drejtpërdrejt në mbledhjen e radhës të KS të OKB-së. Ajo tha se i takon OKB-së që të vendosë për raportin nëse ai duhet të jetë pjesë e një raporti të përgjithshëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun. Ndërsa në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raportin e tij për tre muajt e punës do ta paraqes edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i cili pritet të flasë për përpjekjet e tij për fillimin e një dialogu mes Prishtinës e Beogradit mbi një plan gjashtë-pikësh të OKB-së. Në takimin e radhës të KS të OKB-së pritet të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ka thënë se do të kërkojë që misioni i UNMIK-ut të përmbyllë punën e tij në Kosovë. Autoritetet e Beogradit thanë se do të kërkojnë vazhdimin e punës së UNMIK-ut, i vetmi institucion ndërkombëtar që njihet nga serbët e Kosovës.

Krasniqi në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar

Gjatë ditës së tretë të vizitës zyrtare në Londër, delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi, ka zhvilluar takime me kryetarë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe kryetaren e Dhomës së Lordëve. Treshja nga Kosova, kryetari Jakup Krasniqi, anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, këshilltari politik, Mehmet Hajrizi bashkë me ambasadorin e Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, kanë vizituar Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku janë takuar me nënkryetaren e Parlamentit, zonjën Silvia Heal dhe bashkëpunëtorët e saj. Një tjetër takim është zhvilluar me kryetaren e Dhomës së Lordëve të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, zonjën Hon Baroness Hayman. “Nga 17 shkurti i vitit 2008 Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në funksionimin e shtetit të pavarur e demokratik dhe sipas Kushtetutës së saj, pakicës serbe dhe pakicave të tjera iu garantohen të gjitha të drejtat sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Krasniqi, duke falënderuar për mbështetjen që i ka ofruar Mbretëria e Bashkuar popullit dhe institucioneve të Kosovës në ndërtimin e shtetit të pavarur e sovran në bazë të parimeve të demokracisë së avancuar evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›