Muzikë filmash me vegla tunxhi
Morricone, Rota, Piovani... Emra kompozitorësh, muzikën e së cilëve e kemi shijuar ndërsa kemi ndjekur prodhimet kinematografike italiane. Kolonat zanore të disa prej filmave më të mirë të kinematografisë botërore, kryesisht asaj italiane, që kanë mbetur gjatë në kujtesën e spektatorëve, do të përcillen me vegla tunxhi, në një koncert që do të shfaqet të enjten në mbrëmje në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë. Protagonistë të koncertit, i titulluar “Veglat e tunxhit në kinema”, do të jenë instrumentistë të orkestrës së Toskanës dhe banda “Maggio Musicale Fiorentino”, të cilët vijnë në Tiranë me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, në kuadër të Sezonit IX Ndërkombëtar të Stinës koncertore “Klasik”. Do të interpretohen kolona zanore, të shkruara nga kompozitorë të njohur si Morricone, Rota, Williams, Piovani dhe të përshtatura për këtë koncert nga Donato De Sena, trombetisti i parë në Orkestrën e Toskanës. Tingujt e muzikës do të shoqërohen edhe me imazhe filmime. Regjisori Angelo Del Rosso ka menduar që gjatë ekzekutimit të muzikës të shfaqen dhe pjesë nga filmat përkatës.