E Shtunë, 31 Tetor 2026

“New York Times” denoncon ndikimin e teknologjisë në Gjykata

 

Përdorimi i telefonave “iPhone” dhe “Blackberry”, dërgimi i mesazheve “Twitter” nga ana e jurisë dhe publikimi i punimeve gjatë një seance gjyqësore në internet ka bërë, që në Shtetet e Bashkuara të pezullohen shumë procese gjyqësore. Faktin e ka publikuar prestigjiozja “New York Times”, që në një hetim rendit një sërë procesesh, të cilat janë pezulluar gjatë ditëve të fundit në sallat e gjyqit për shkak të shkeljes së normave të jurisë popullore. Mes rasteve më në zë NYT përmend pezullimin e procesit federal të një figure të madhe narkotrafiku në Florida, pasi pothuajse të gjithë anëtarët e jurisë kanë pranuar se kanë bërë kërkime në “Google” edhe gjatë zhvillimit të procesit, duke përdorur telefonat e tyre të markave të lartpërmendura. Edhe një shoqëri në Arkansas ka kërkuar javën e kaluar pezullimin e procesit të saj, që kishte përfunduar me një dënim gjobe prej 12,6 milionë dollarësh, pasi kishte zbuluar se një nga anëtarët e jurisë kishte folur në lidhje me procesin nëpërmjet shërbimit “micro-blogging Twitter”. Në Pensilvani, mbrojtësit e ish-senatorit Vincent Fumo kanë kërkuar anulimin e procesit për shkak të korruptimit të një prej anëtarëve të jurisë, i cili ka folur për etapat në seancë me miqtë e tij në “Facebook”. Sipas “New York Times”, shumëfishimi i këtyre rasteve po krijon një gjendje emergjence, që do të kërkojë vendosjen e një rregulloreje të re për sjelljen e anëtarëve të jurisë popullore në epokën e Internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›