E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Vota për PD-në do të thotë integrim në BE



Kryetari i Forumit Rinor të PD-së kërkon votat e vlonjatëve dhe përmes tyre të mbarë shqiptarëve, pasi vetëm duke votuar për PD-në, ata kanë votuar hyrjen në BE. Bogdani u shpreh dje gjatë punimeve të kuvendit të Forumit Rinor të PD-së të degës së Vlorës se “vota për PD-në është votë për në Bashkimin Evropian, votë për dinjitetin e shqiptarëve që shkojnë në kutitë e votimit me karta identiteti të standardeve të larta”.

Kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani, vuri në dukje gjatë punimeve të këtij kuvendi: “Shqipëria në këto katër vite ka ndryshuar dhe ne jemi pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi. Një votë për Partinë Demokratike tashmë është votë për NATO-n, është votë për anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian”. “Shqipëria është një vend me popullsi të re në moshë, me energji dhe vitalitet të madh”, - tha Bogdani, duke shtuar se këto cilësi duhet t’i përdorim si avantazh për të qenë të denjë për të bërë pjesë në familjen evropiane.

Topalli, grave: Une, avokatja juaj

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj dje në Patos, ku u prit nga qindra gra e të rinj. Përpara qytetarëve të Patosit, Topalli tha se ajo do të jetë një avokate e grave. “Unë kam takuar edhe gra që janë të vetme, edhe gra që kanë burrat në emigracion, edhe gra që rrisin jetimë. Unë dua t’u them atyre: “Jozefina Topalli do të jetë mbështetësja juaj”. Unë do t’u them nënave që dua të jem avokatja e tyre. Unë do t’u them nënave që drejtojnë të vetme familjen, unë do të jem avokatja juaj”, - deklaroi Topalli. Ajo premtoi më shumë vëmendje ndaj të gjithëve në nevojë. “Ne do t’ju mbështesim, do të rrisim ndihmën dhe asistencën sociale. Do të rrisim ndihmën shtetërore, rrogat, pensionet. Prapë do të rrisim pensionet në fshat, në qytet”, - premtoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›