E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mëhilli: Rama të ndalë fushatën e trillimeve



PD-ja i bën thirrje kryesocialistit Edi Rama që të ndalë fushatën e trillimeve për qëllime elektorale. PD-ja gjykon se Rama nëpërmjet zëdhënësve të tij po vazhdon fushatën e trillimeve dhe të shpifjeve për të gjitha vendimet që merr qeveria dhe pikërisht në ditën e dyfishimit të pagave dhe pensioneve. Zëdhënësja demokrate, Erla Mëhilli, deklaroi dje se Rama po trillon edhe me vendimet që merr qeveria dhe pikërisht vetëm pak orë më pas, kur kjo qeveri vendosi rritjen më të madhe të rrogave dhe të pensioneve në historinë e vendit me dyfishimin e rrogave dhe të pensioneve. Mëhilli theksoi, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të nënsekretarit për programin në PS, Ilir Beqja: “Ai mashtron duke thënë se çmimi i bukës është rritur me 140%, në një kohë kur në të gjitha dyqanet e Tiranës dhe mbarë vendit ajo blihet 660 lekë përafërsisht me çmim të njëjtë nga ç’blihej 4 vjet më parë”. “Një mashtrim i pastër është edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike me 140%, - deklaroi Mëhilli, - ndërkohë që qeveria rritjen e vjetshme të çmimit të energjisë e kompensoi në 100% për 300 kilovat/orët e para, por mbi të gjitha qeveria i ka garantuar çdo qytetari shqiptar drita 24 orë, një nga sfidat më të rëndësishme të programit të saj të vitit 2005”, - duke shtuar: “Të guxosh të gënjesh për pagat dhe pensionet në ditën e dyfishimit të tyre, do të thotë të fyesh rëndë shqiptarët dhe për këtë fyerje Rama do të marrë përgjigjen e merituar në 28 qershor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›