E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Zgjedhjet të prodhojnë Parlament të pastër

Krijohet koalicioni për "Parlament të Pastër". Qëllimi i koalicionit do të jetë verifikimi i së shkuarës dhe të ardhmes së aktivitetit të kandidatëve.


TIRANË- Të gjithë kandidatët për deputetë, që do të propozohen zyrtarisht nga partitë politike, do të kalojnë në sitën e organizatave të shoqërive civile, disa prej të cilave, dje krijuan koalicionin për "Parlament të Pastër".

Ky koalicion do të ketë si qëllim verifikimin e së shkuarës dhe të ardhmes së aktivitetit aktual të kandidatëve për deputetë. Në tryezën e rrumbullakët të organizuar për këtë qëllim, kreu i këtij koalicioni, ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu, theksoi në fjalën e tij se kjo nismë synon që zgjedhjet e 28 qershorit të prodhojnë një Parlament të çliruar nga ngarkesat korruptive dhe abuzive të viteve të tranzicionit.

"Sado që nisma vjen në kontrast me disa sjellje e tradita politike në vend, sado që ka vështirësi, ka paqartësi e boshllëk legjislacioni apo një konsensus ndërpartiak për të lënë mënjanë transparencën financiare të fushatës, vetë nisma ia vlen",- tha Moisiu.

Ish- Presidenti citoi gjatë fjalës së tij se, nisma është një sinjal dhe mesazh i rëndësishëm, një thirrje që u adresohet të gjithë politikanëve vendimmarrës dhe aktorëve politikë, që ata të mendohen mirë kur të hartojnë listat e kandidatëve, të reflektojnë mbi integritetin moral e ligjor të kandidatëve dhe që të mësojnë të aplikojnë standarde të denja për një vend anëtar në NATO.

"Koalicioni nuk vjen si projekt i mbyllur, përkundrazi. Kushdo që e vlerëson nismën është i ftuar t'i bashkëngjitet, sepse qëllimi dhe motivi janë të njëjta për shumë nga ne në këtë sallë, e për shumë të tjerë jashtë saj.

Koalicioni për një "Parlament të Pastër" është në thelb koalicioni i njerëzve vullnetmirë, që nuk mund të pajtohen me asnjë përpjekje të partive apo grupeve të caktuara politike për ta rrezikuar integritetin moral të zgjedhjeve dhe të Parlamentit të ardhshëm",- tha Moisiu.

Ndërsa numri dy i OSBE-së në Tiranë, znj. Renate Herrmanns, shprehu besimin e saj se shoqëria civile mund të luajë një rol jetik, duke ndihmuar Parlamentin në përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese dhe demokratike ndaj popullit shqiptar.

Duke iu referuar aktorëve të shoqërisë civile, ajo theksoi se, "ata veprojnë si mbikëqyrës dhe monitorojnë zhvillimet parlamentare, duke i sinjalizuar publikut dhe qeverisë, faktin e pamohueshëm se Parlamenti është një institucion që çmohet publikisht, vëzhgohet publikisht dhe i përgjegjshëm para publikut".

Koalicioni për "Parlament të Pastër" do të verifikojë kandidatët për deputetë të të gjitha partive kryesore, të cilët do të vlerësohen në bazë të disa kritereve të vendosura nga KPP-ja. Disa nga kriteret kryesore janë asetet pasurore, performanca parlamentare e rikandiduesve, përfshirja në raste korrupsioni, konflikti interesi, nepotizmi, etj.

Për ata kandidatë që rezultojnë të papërshtatshëm në bazë të kritereve, negociohet me partitë përkatëse për t'u përjashtuar nga lista e kandidatëve. Në të kundërt, emrat e tyre do të publikohen si të papërshtatshëm.

Kandidatët që do të garojnë në zgjedhje do të verifikohen mbi të shkuarën e tyre, pasuritë, si dhe performancën parlamentare, në rast se bëhet fjalë për ata që rikandidojnë. Përfshirja e mundshme në aktivitete të paligjshme si korrupsion, mashtrim, konflikt i interesit apo nepotizëm, do të qëndrojnë në thelb të punës verifikuese.

Pra, ky proces do të përfshijë kandidatët që konkurrojnë për herë të parë, si dhe kandidatë, të cilët rikandidojnë dhe kanë qenë pjesë të legjislaturës parlamentare 2005-2009. Kjo fushatë është nismë e një grupi organizatash, ku bëjnë pjesë Lëvizja "Mjaft", Partners Albania, Fondacioni "Moisiu", Impact Center dhe Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›