Ligji, studentët do të votojnë pranë fakulteteve
Mazhoranca voton pa opozitën projektligjin për gjendjen civile. Ja rregullat e reja
TIRANË- Mazhoranca ka miratuar dje në mënyrë të njëanshme, pa opozitën, projektligjin shumë të debatuar të gjendjes civile, por pa zgjidhur merakun e socialistëve lidhur me regjistrimin e studentëve, ushtarëve, të burgosurve apo edhe të sëmurëve, që, për një kohë të gjatë qëndrojnë nëpër spitale.
Pavarësisht se neni 14 i këtij projektligji ishte detajuar nga Ministria e Brendshme në 10 nene të tjera, duke tentuar që të bëjë të qartë të gjitha procedurat që do të ndiqen për regjistrimin e vendbanimit të këtyre kategorive, shqetësimi i shprehur më parë edhe nga relatori socialist i këtij projektligji, sidomos për përcaktimin e vendit se ku këta shtetas do të duhet të votojnë, mbetet evidente.
Në këtë mënyrë, Komisioni i Ligjeve miratoi propozimin që, të gjithë studentët që për arsye të studimeve janë të detyruar të ndërrojnë vendbanimin, duke qëndruar për 3 muaj rresht në vendbanimin e ri, ose më shumë se 6 muaj brenda një viti, janë të detyruar të regjistrohen në gjendjen civile ku dhe ndodhet institucioni arsimor ku ata janë pjesë.
Sipas këtij përcaktimi, i bie që të gjithë studentët që vijnë nga rrethet e largëta me studime në universitetet e ndryshme në Shqipëri, për shkak të detyrimit që bën ky projektligj për regjistrimin e vendbanimit të ri, do të duhet të votojnë jo në zonën zgjedhore nga kanë ardhur, apo ku është vendqëndrimi i tyre i përhershëm, por në atë të përkohshmin.
Përjashtim bëjnë ata studentë që vijnë nga rrethet fqinje me rrethin ku dhe ndodhet universiteti që kryejnë studimet, siç është rasti i studentëve që vijnë nga Durrësi në Tiranë.
Shtetasit që për arsye arsimimi ndryshojnë vendbanimin, janë të detyruar që të paraqesin pranë institucionit arsimor, në momentin e paraqitjes së kërkesës për regjistrim në vitin akademik, një nga dokumentet që vërteton vendbanimin e tij.
E njëjta situatë paraqitet edhe për ushtarët, të burgosurit, apo ata që shtetas që qëndrojnë në dhomat e paraburgimit, si dhe për të sëmurët që për një kohë të gjatë qëndrojnë në një spital.
Megjithatë, siç bëri të ditur edhe vetë kreu i Zyrës së Gjendjes Civile, Armand Teliti, efektet e këtij ligji do të kenë efekte për zgjedhjet e 28 qershorit vetëm nëse procedurat që do ndjekë Kuvendi dhe më pas dekretimi dhe hyrja e tij në fuqi, do të jenë të shpejta.
Në rast se ligji do të marrë fuqi vepruese para zgjedhjeve, atëherë do të lindë nevoja që edhe një herë në prag të zgjedhjeve të bëhet regjistrimi i gjithë këtij kontigjenti shtetasish në listat e zgjedhësve, në ato zona zgjedhore ku dhe gjendet vendbanimi i përkohshëm.
Amendamentet e paraqitura së fundi nga Ministria e Brendshme përcaktojnë edhe procedurën sesi do të përcaktohet adresa e personave që kanë më shumë se një shtëpi.
Ndërkohë, në to i është dhënë një zgjidhje problemit të spastrimit të Regjistrit Kombëtar të popullsisë nga ata persona që kanë vdekur apo që kanë lënë shtetësinë.
Kështu, sipas këtij ndryshimi, është përcaktuar që punonjësit e zyrave të gjendjes civile do të dalin vetë për të verifikuar në terren të gjithë ata shtetas që në regjistër kanë mbushur 100 vjeç, për të parë nëse ata janë gjallë apo kanë vdekur.