E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për kartat, ja konkluzionet PD-PS

Dy partitë kryesore në vend arrijnë një zgjidhje të mesme për pajisjen me karta të qytetarëve pa pasaportë.


TIRANË- Të gjithë ata shtetas që nuk zotërojnë një pasaportë dhe që nuk përfshihen në listën e zgjedhësve, që përfitojnë lehtësira financiare sipas vendimeve të mëparshme të qeverisë, do t'i marrin kartat me 200 lekë të rinj, por me kusht që të rimbursojnë 1000 lekëshin brenda gjashtë muajve nga data e aplikimit.

Ky është akordi i arritur me vështirësi pas negociatave disaditore mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, por pa mundur që të kënaqë asnjërën prej tyre. Kjo pasi asnjëra prej tyre nuk ka marrë atë që kërkonte, porse nën presionin e ndërkombëtarëve janë detyruar të pranojnë këtë zgjidhje të mesme.

Në këtë mënyrë, PS-ja nuk ka mundur që të realizojë plotësisht dy kërkesat e saj për kartat falas dhe thjeshtëzim të procesit të aplikimit vetëm në një sportel dhe, nga ana tjetër, PD-ja është detyruar që të lëshojë pe, sidomos në drejtim të atyre personave që socialistët dyshojnë se nuk janë përfshirë në listat e Ministrisë së Brendshme të zgjedhësve pa pasaportë.

Pavarësisht pakënaqësive, duket se të dyja palët e shohin këtë akord si një zgjidhje të vetme dhe për këtë arsye kanë vendosur që tashmë ta konkretizojnë atë në një veprim real.

Burime pranë Partisë Socialiste janë shprehur dje për "Shekulli"-n se zgjidhja e dhënë nuk i kënaq, pavarësisht se për hir të shpëtimit të procesit të zgjedhjeve janë të detyruar ta shohin atë si një lehtësim të barrës financiare për një kategori të gjerë zgjedhësish që s'kanë pasaportë.

Për këtë arsye, ata janë shprehur të gatshëm për t'u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë menjëherë sapo qeveria do ta reflektojë këtë kompromis në një vendim të sajin.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur nga negociatorët e të dy krahëve, skema e aplikimit do të jetë e njëjtë si deri më tani, pasi këto kategori që do të përfitojnë nga ky lehtësim financiar do të shkojnë përsëri ta marrin kuponin kundrejt pagesës së 200 lekëve në postë dhe më pas do të paraqiten në stacionet e aplikimeve në njësinë e tyre vendore.

Ndërkohë që, pjesë e lëshimit që kanë bërë demokratët është edhe dhënia e së drejtës që të gjithë ata shtetas, që janë pa pasaportë dhe nuk janë në listën e Ministrisë së Brendshme, të shkojnë në komisariatet e policisë dhe të marrin një deklaratë nga drejtoria e policisë, që ata nuk zotërojnë pasaportë. Më pas, me këtë deklaratë do të paraqiten në postë për të marrë kuponin sipas lehtësirave që parashikon ky akord.

Po ashtu, ata do të duhet që të bëjnë një vetëdeklarim nëse përfshihen në ato kategori, që përfitojnë nga vendimet e mëparshme të Këshillit të Ministrave për karta me 200 lekë. Nëse vërtetohet e kundërta e kësaj deklarate, atëherë shtetasi do të mbajë përgjegjësi sipas Kodit Penal.

Megjithatë, ky konsensus "gjysmak" nuk do të kurorëzohet me një demonstrim publik, pasi palët nuk do të firmosin deklaratë angazhuese në këtë proces, por do të mbetet thjesht në kuadrin e një mirëkuptimi mes palëve, që do të konkretizohet në një vendim qeverie, menjëherë sapo Kryeministri të kthehet nga jashtë shtetit, ku dhe po kryen një vizitë zyrtare.

Pikat e marrëveshjes


Kartat, për ata që s'kanë pasaportë dhe që s'janë përfshirë në skemën e subvencionit, do të jepen me dy mijë lekë.

E gjithë kjo kategori do të jetë e detyruar që, gjashtë muaj nga dita e aplikimit të paraqitet pranë institucioneve përkatëse për të paguar 1 mijë lekëshin e mbetur

Kuponi do të tërhiqet përsëri tek posta.

Të gjithë ata shtetas, që janë pa pasaportë dhe nuk janë në listë, duhet të shkojnë në komisariatet e policisë dhe të marrin një deklaratë nga drejtoria e policisë, që këta nuk janë të pajisur me pasaportë. Më pas, me këtë deklaratë do të paraqiten tek posta.

Të gjithë ata shtetas, që nuk janë në listën e zgjedhësve pa pasaportë, bëjnë një vetëdeklarim nëse përfitojnë ose jo nga skema e subvencionimit që qeveria ka bërë deri më tani për disa kategori.

Në rast se vërtetohet e kundërta e kësaj deklarate, atëherë shtetasi do të mbajë përgjegjësi sipas Kodit Penal.

Është hequr dorë nga socialistët lidhur me propozimin për t'i kryer të gjitha shërbimet në një sportel.

Marrëveshja nuk do të jetë publike dhe e firmosur nga dy forcat kryesore, por do të jetë një mirëkuptim mes palëve, që do të konkretizohet në një vendim qeverie, menjëherë sapo Kryeministri të kthehet nga jashtë shtetit, ku dhe po kryen një vizitë zyrtare.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›