E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani, dopietë si paralajmërim për Juven

Erjon Bogdani vazhdon të demonstrojë formën e tij të mirë në këtë prag sezoni. Sulmuesi shtatlartë i Kombëtares shqiptare është shndërruar në protagonist në ndeshjen miqësore që skuadra e tij, Kievo, ka luajtur kundër amatorëve të Sant‘Anna d‘Alfaedo. Ai ishte autor i një dopiete në këtë sfidë, e cila është mbyllur me rezultatin e thellë 12-0. Ndërkohë, nga një tregolësh kanë shënuar dy sulmuesit e tjerë, Pelisier dhe Granoke. Për transfertën shumë të rëndësishme të Torinos, ku kundër Juventusit të dielën Kievo do të luajë edhe ndeshjen e parë sezonale, trajneri Di Karlo është i orientuar t‘i japë besim skuadrës së fundit të sezonit të kaluar. Kështu që Bogdani parashikohet titullar përkrah Pelisierit në sulm, ndërsa Granoke mund ta fillojë ndeshjen nga stoli i rezervave. Kjo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme për sulmuesin shqiptar, edhe për një arsye speciale. Në tribunën e stadiumit "Delle Alpi", do të jetë i ulur trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, i cili e ka marrë rrugën për në Torino, për të ndjekur nga afër Bogdanin në përballjen ndaj Juventusit. Prandaj, ai shpreson të bëjë një paraqitje të mirë nesër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›