E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumi, stërvitje sekrete për t‘u rikthyer në F.1

Kajzeri nuk po ndalet dot dhe ka vendosur të kthehet, sidoqoftë, te Ferrari. Dëshiron të shërohet, të rifitojë formën e tij më të mirë dhe për këtë po stërvitet në mënyrën më sekrete të mundshme. Ndërkohë që po profilizohet një shkëmbim Alonso-Raikonen, trashëgimtari i Shumakerit largon kokëkuqen: do të rrijë te Red Bull deri në fund të vitit 2011 dhe ndoshta deri në 2012-ën. Vetëm pas këtij viti do të mendojë për ndonjë kalim të madh në Maranelo...

Majkëll Shumaker nuk është dorëzuar dhe vazhdon të luftojë për rikthimin në Formula 1. Që para disa ditësh, e përditshmja online "Afaritaliani.it", kishte hamendësuar mbi një rikthim të Kajzerit në Monxa. Përveç datës, koka e Kajzerit është ajo e një piloti, shumë larg nga të qenit i dorëzuar para pensionit. Sipas asaj që na servir "Bild", shtatë herë kampioni i botës po zhvillon stërvitje sekrete për t‘u rikthyer në formën më të mirë. Në palestrën e vilës së tij mbi liqenin e Gjenevës nuk ka hyrë kurrë. "Kjo ka vetëm një domethënie: ai po përgatitet akoma për kthimin e tij", shkruan e përditshmja "Bild", që nuk përjashton një rikthim më të qetë në 2010-ën. Ajo bën vetëm një pyetje: "Do të fillojë këtë vit? Menaxheri i pilotit, Uill Veber, nuk përgënjeshtron: "Majkëlli mendon se ka rigjetur ritmin dhe se mund të vazhdojë". Këtë e thotë njeriu që më shumë se kushdo ishte i pasigurt në karrierën e dytë të Shumit. Ndërkohë, gjermani pritet në Valencia, ku do ta ndihmojë skuadrën si tifoz.

Ferrari mund të presë. Nga këndvështrimi i Vetelit. Por natyrisht që jo nga ai i Alonsos. Ndërsa flitet për Raikonen që mund të mbushë gropën e lënë nga Fernando te Renault, Kajzeri i vogël, trashëgimtari i vulosur i Majkëll Shumakerit, ka rinovuar kontratën me Red Bull. Kontratë e zgjatur deri në vitin 2011. Kështu pra, vetëm po ndodhi hataja, gjermani fluturues nuk do të shihet andej nga Maranelo para vitit 2012 apo 2013. Vazhdon kështu rrugëtimi i rritjes së tij me skuadrën e Ditrish Matshiç, në të cilën u anëtarësua këtë vit dhe me të cilën ka fituar deri më sot 47 pikë në botëror, duke zënë edhe vendin e tretë, edhe pse goxha larg liderit, anglezit Xhenson Batën, që ka 70 pikë. 22-vjeçari, i cili që kur ishte fare i ri u formua në programin "Jang Drajvërs" (pilotët e rinj) të Red Bullit, ka debutuar në cirkuit si kolaudator i BMV-së dhe ka garuar për herë të parë në vitin 2007, duke zëvendësuar polakun Robert Kubika në GP-në e Shteteve të Bashkuara. Vetel është një fëmijë i jashtëzakonshëm, i destinuar të ketë sukses, mjaft të sjellësh ndër mend faktin se vitin që shkoi, me triumfin në çmimin e madh të Italisë, u bë fituesi më i ri në historinë e Formula 1. Në shtëpinë Red Bull, marrëveshja me Vetel ndjek prej disa javësh atë me Mark Veber. Piloti australian, i dyti në Botërorin 2009 me 51.5 pikë, ka firmosur deri në vitin 2010.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›