Regjisori Woody Allen,koncert me klarinetë
Varshavë- Një publik prej 3 mijë spektatorësh ka shijuar në Poloni, koncertin e rrallë që regjisori amerikan Woody Allen dha së bashku me bandën e tij të xhazit. Regjisori, i cili i bie klarinetës u shoqërua nga New Orleans Jazz Band në një performancë me muzikë xhaz tradicional. “Do të bëjmë më të mirën, për t’ju argëtuar”, mësohet të ketë thënë Allen, përpara koncertit në Varshavë, teksa gjendej një publiku të madh në numër në sallën më të madhe të koncerteve, edhe ajo destinuar për kongrese. Pjesët e luajtura solo nga Allen, por edhe ato të shoqëruara nga anëtarët e tjerë të grupit u pritën me duartrokitje të forta, madje në fund të koncertit, u kthye të interpretonte edhe një biz. Ishte ky një rast i rrallë për 73-vjeçarin Allen, i cili rrallë herë ka dalë nga New Yorku, ku ai jeton.