E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanë e artistë, ballo në ndërrimin e viteve

 

Alma Mile

Nën ritmet e valseve të Shtrausit, e klasikëve të mëdhenj botërorë, në fërfërimën e fustaneve të ballos, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit feston ndërrimin e viteve së bashku me publikun. Sot, në orën 19:00 në skenën e madhe të TKOB-it, zhvillohet balloja Grand Gala e fundvitit, e cila do të mbledhë për të festuar jo vetëm artistë, por edhe politikanë, diplomatë e njerëz të medias. U bënë vite tashmë, që Viti i Ri të festohet sipas traditës së famshme vieneze, ku orkestra simfonike interpreton valse të njohura, të cilat jo vetëm shijohen përmes dëgjimit, por edhe mund të kërcehen. Madje ky është dhe “rregulli” i mbrëmjes. Spektatorët, të cilët duhet të jenë të veshur shik, janë edhe balerinë. Ky është viti i gjashtë që në sallën e TKOB zhvillohet një mbrëmje e tillë dhe kërkesat e njerëzve për të marrë pjesë në të kanë qenë të shumta. Mësohet se prej 3 ditësh janë shitur të gjitha biletat e Galasë. Sigurisht që do të ketë shumë të ftuar, politikanë e artistë. Ndër ata që kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre Neritan Ceka, Lajla Përnaska, Çlirim Gjata, Gerti Bogdani, Arben Tafaj, etj., por nuk do të mungojnë edhe përfaqësues të përfaqësive diplomatike (ata që preferojnë t’i kalojnë festat në Shqipëri), si dhe të ftuar nga Kosova. Nën drejtimin e Hygerta Sakos dhe Drejtorit të TKOB-it, Zhani Ciko, përpos kërcimit, mbrëmja do të ofrojë disa momente kulmore nën interpretimin e sopranos Oriana Kurteshi, mexosopranos Vikena Kamenica, bas-baritonit Sidrit Bejleri, të shoqëruar nga Kori i Operës dhe ai Pax Dei, si dhe solistët e baletit, Enada Hoxha, Gerd Vaso, apo Albi Nako. Programi i mbrëmjes përmban pjesë si “Marshi i Pashait”, “Einzug Marsch”, “Persicher Marsch”, dhe “Lakuriqi i natës”, pa harruar të famshmin “Marsh të Radeckit”, “Danubi Blu”, apo pjesë nga Çajkovski, të cilët ftojnë në skenë gjithë të ftuarit. Për të vijuar me pjesët më të bukura të veprave, që u ngjitën në skenën e TKOB-it, gjatë këtij viti. Kështu mund të veçojmë “Luçia di Lamermur”, “Xhani Skiki”, për të vijuar me “Flautin magjik”, apo “Italiana in Algeri”. Ngjyra e gjelbër e ushtarëve të Gardës së Republikës, do të jetë gjithashtu e pranishme në mbrëmje. Janë 25 ushtarë, që do të bëjnë paradën e përvitshme, për të nderuar pjesëmarrësit. Ashtu si edhe vitet e shkuara, salla e TKOB-it, shndërrohet në një pistë vallëzimi. Janë hequr pjesa më e madhe e karrigeve dhe është krijuar një skenë e madhe e hijeshuar nga dekoret e “Geraldina Sposa”. Ç’është më e rëndësishmja, janë marrë masa për të thyer temperaturat e ftohta të dimrit. Në mungesë të një sistemi ngrohës funksional, një problem ky, i cili është bërë edhe më i pranishëm viteve të fundit, është menduar që salla të ngrohet me soba me gaz. Pavarësisht energjisë që do çlirohet prej vallëzimit, për damat e veshura letshëm, siç e kërkon rasti, duhet edhe pak ngrohje, që të mos presin me padurim që të përfundojë mbrëmja. Sipas gjasave, duket se çdo gjë do të shkojë mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›