Reali, 1 miliard euro blerje në 10 vite Në vendin e dytë renditet Barcelona, me 713 milionë euro
Në vitin 2000, presidencën e Realit të Madridit e mori Florentino Perezi, një person që ndryshoi taktikën e klubit në merkato. Ai investoi shifra të padëgjuara më parë në blerjen e lojtarëve, ndërsa këto para i rifitonte duke shfrytëzuar imazhin e futbollistëve. Në 10 vitet e fundit, madrilenët nuk janë kursyer aspak në blerjen e lojtarëve, madje e kanë tepruar, pasi kanë shpenzuar plot 1 miliardë e 22 milionë euro, duke përfshirë edhe futbollistët e ardhur gjatë kësaj vere, ndërsa duhet theksuar se spanjollët kanë premtuar se do bëjnë ende blerje. Verën e kaluar, kur Perezi u rikthye në krye të klubit, duke zënë vendin e të larguarit Ramon Kalderon, ai shpenzoi 254 milionë euro, duke realizuar edhe transferimin më të shtrenjtë në histori. Ai pagoi 96 milionë euro për të marrë Kristiano ROnaldon nga Mançester Junajtid dhe sipas specialistëve, është shumë e vështirë që kjo shifër të arrihet sërish, të paktën edhe për 10 vite. “Kemi shpenzuar aq shumë, sa një klub tjetër prestigjioz shpenzon për tre sezone. Gjithsesi, kemi bërë një investim të zgjuar”, tha Perezi gjatë verës së shkuar. Ai nuk u mjaftua me Ronaldon, pasi shpenzoi shumë edhe për Kakanë, Benzemanë apo Ksabi Alonso. Gjatë kësaj dekade, fanellën e Realit e kanë veshur futbollistët më në formë dhe prestigjiozë të momentit si Luis Figo, Zinedin Zidan, Ronaldo, Devid Bekham, Majkëll Ouen, Robinjo, Roben, Shnajder, Rud Van Nistelroi e shumë të tjerë. Në vendin e dytë, si klubi që ka shpenzuar më shumë këtë 10-vjeçar është Barcelona, me 713 mln euro. Blerja e tyre më e shtrenjtë është Zlatan Ibrahimoviçi, për të cilin dhanë 45 milionë euro, plus kartonin e Samuel Etosë.