Partizani, lojtarëve u kërkojnë edhe topa
Te Partizani po bëhet gati një muaj, që një numër i madh lojtarësh të rinj dhe “veteranë” po stërviten me dëshirën e mirë, që të ribëjnë këtë ekip për sezonin e ri. Mirëpo, nuk mjafton vetëm dëshira për të ndërtuar një ekip të denjë, pasi ka disa aksesorë të tjerë tepër të domosdoshëm që e bëjnë më të kompletuar një skuadër futbolli. Përgatitjet e Partizanit kanë startuar prej një muaji te Kodrat e Liqenit, por ky vend nuk është gjithnjë i përshtatshëm për të marrë ngarkesën e plotë fizike. Pasi përpos vrapimeve dhe ushtrimeve të thjeshta, një lojtar duhet të punojë edhe me topin, gjë që rrallë bëhet përveç rasteve kur janë stërvitur tek kompleksi “Dinamo”. Mirëpo, ky objekt i rrumbullakët dhe pse shumë i domosdoshëm, nuk po përdoret nga futbollistët e kuq dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë, pasi nuk ka. Siç mësohet nga disa prej djemve që po stërviten nën drejtimin treshes Bajko-Shehu-Berberi, thuhet se lojtarëve u kanë thënë që të marrin ndonjë top me vete, që të përgatiten edhe në atë aspekt. Mirëpo, kjo është paksa absurde, pasi këtu nuk flitet për amatorë, por për profesionistë të vërtetë dhe mbi të gjitha për një ekip si Partizani, që kurrë s’ka hasur probleme të tilla në historinë e vet. Sikur të mos mjaftonte kjo, lojtarëve pas një seance të gjatë dhe të lodhshme stërvitore, e cila mund të zgjasë deri në 1 orë e 30, nuk u ofrohet as ujë i pijshëm për t’u hidratuar, pasi edhe për këtë drejtuesit nuk kanë parà ta sigurojnë, por duhet të blihet nga vetë futbollistët. Kur kujtojmë që kanë mbetur edhe 5 javë nga fillimi i kampionatit të Kategorisë së Parë, është e vështirë që të besojmë se ky ekip mund të ribëhet. Dhe kjo s’ka lidhje me mungesën e kontingjentit, por me të tilla kushte dhe me mungesa të mëdha, si baza materiale, pa të cilën një lojtar e ka të vështirë të përballojë një sezon të gjatë. Megjithatë, kot nuk thonë “shpresa vdes e fundit” dhe të kuqtë janë mësuar të presin dhe të sakrifikojnë. Mjafton të kujtojmë dy vitet e fundit, ku futbollistët në mungesë të financave kanë pranuar të luajnë për Partizanin vetëm për të nderuar fanellën e kuqe dhe të tifozërisë.