E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët injorojnë Kapelon e Anglinë



Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo ka zhvilluar ditën e djeshme stërvitjen e parë në përgatitje të ndeshjes miqësore të së mërkurës kundër Hungarisë. Nga 23 lojtarë të cilët ishin thirrur për grumbullim vetëm 16 prej tyre janë paraqitur ndërkohë që të tjerët nuk kanë qenë në gjendje të ndiqnin stërvitjen për shkak të dëmtimeve. Mbi listën e dëmtimeve kanë lindur dyshime mbi faktin që për shkak të fillimit të Premier Ligës më datë 14 dhe rrezikut për dëmtime për shkak të fushës së keqe të stadiumit “Uembli”, disa trajnerë kanë raportuar si të dëmtuar lojtarët e tyre. Një ndër to është tekniku i Junajtid, Sër Aleks Ferguson i cili pak ditë më parë u shpreh publikisht në media se lojtari i tij Kerrik është i dëmtuar dhe do të qëndronte jashtë fushës së lojës për afro 2 javë, ndërkohë që lojtari për habinë e të gjithëve dhe veçanërisht të trajnerit Kapelo është aktivizuar në ndeshjen e Superkupës së Anglisë midis çelsit dhe Mançester Junajtid për afro 75 minuta. I pyetur për këtë episod Ferguson është shprehur se vetëm në momentet e fundit para fillimit të ndeshjes mjekët kanë konfirmuar se Kerrik ishte plotësisht i gatshëm dhe se dyshimet për një dëmtim kishin rënë poshtë. Duke pasur në konsideratë këtë numër të konsiderueshëm mungesash, trajneri Kapelo mendohet se do të afrojë në ekipin e parë lojtarë të Kombëtares “U21”. Italiani megjithëse mjaft i sulmuar nga shtypi britanik është shprehur optimist për rinovimin e kombëtares dhe kthimin e saj në një skuadër me mentalitet sulmues. “Fakti që jam nën drejtimin e përfaqësueses do të thotë që unë besoj në ringritjen e saj. është e vështirë pasi skuadra ka frikë të përballet dhe lojtarët nuk kanë besim në vetvete për atë që janë në gjendje të bëjnë. është e vështirë por besoj se do t’ia dal mbanë. Në të ardhmen do të analizohet forma e çdo lojtari dhe niveli i lojës i treguar edhe në grumbullimet me kombëtaren. Në rast se ka futbollistë të cilët nuk impenjohen maksimalisht me ekipin e vendit të tyre atëherë ato më mirë të qëndrojnë në shtëpi”, është shprehur italiani, i cili ka hedhur poshtë të gjithë zërat për konflikte të mundshme midis tij dhe një grupi lojtarësh. Këto dyshime janë theksuar edhe më tepër kur pas përfundimit të ndeshjes së Superkupës së Anglisë, mbrojtësi i çelsit, Eshli Kol ka refuzuar t’i japë dorën Kapelos. I pyetur më pas për këtë çështje Eshli është shprehur se: “Nuk e pashë Kapelon që më zgjati dorën. Isha i mërzitur dhe po shikoja në fushë dhe jo në tribunën ‘VIP’. Nuk kam asgjë me trajnerin dhe për këtë arsye jam pjesë e grumbullimit të kombëtares për ndeshjen kundër Hungarisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›