Nuredini: Kjo skuadër premton shumë!
Skuadra kolonjare, ka hyrë në javën e pestë të përgatitjeve, në ambientet e qytetit të Ersekës, ku janë zhvilluar dhe dy miqësore. Në takimin e djeshëm të luajtur në Pogradec ka dalë në pah se trajneri Qirjako ka ndërtuar një ekip që do të jetë pretendenti numër një për t’u ngjitur në Superiore. Lidhur me përgatitjet e deritanishme, portieri Ervin Nuredini u shpreh se: “Gramozi i sivjetshëm është për t’u vlerësuar jo vetëm për përgatitjet që po bën, por edhe për disiplinën e lartë sportive, harmoninë e grupit dhe dëshirën e madhe për të treguar se e meriton ngjitjen në Superiore. Për këtë flasin të gjithë pa përjashtim”, - thotë portieri 25-vjeçar. Tiranasi i portës kolonjare mendon se paraqitja e javëve të para në Ersekë jep shpresa që Gramozi të arrijë objektivin e vendosur nga presidenca, zënien e tre vendeve të para, që do të thotë ribashkim me ekipet elitare shqiptare. “E ndiejmë veten shumë mirë, ndonëse jemi ende në periudhën përgatitore dhe kampionati do dhe shumë javë që të fillojë. Tek Gramozi shoh një skuadër që premton shumë për sezonin e ri. Të gjitha përgatitjet dhe e gjithë puna jonë ka vetëm një synim, që ekipi të mos zhgënjejë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Ne do të hyjmë në garë me besim të madh tek realizimi i objektivave. Me impenjimin maksimal që kemi, mendoj se jemi në rrugë të mbarë, pasi kemi një trajner tepër punëtor dhe të përgatitur, një president që interesohet shumë për futbollistët si dhe një kryetar bashkie që vështirë se e gjen në ndonjë qytet tjetër”, - përfundon Ervin Nuredini.
Eni Barmashi