Bogdani-gol: Tani dua kokën e Çezenës

Bogdani pas golit
Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e dytë në kampionat me Sienën.
“Jam në superformë. Do të bëj gjithçka që të mbijetojmë”
Dy gola në dy ndeshje radhazi. Bogdani është shndërruar në shpresën e madhe të Sienës për të mbijetuar. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi sërish dje, duke zhbllokuar Sienën në një ndeshje tepër delikate. Bardhezinjtë fituan 3-0 përballë Kaljarit, por ishte pikërisht bomberi kuqezi ai që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 41-të të ndeshjes. Xhorxhi i Sienës gjuajti nga 20 metra largësi, por portieri i Kaljarit, Agaci, grushtoi. Bogdani përfiton dhe gjuan sërish fluturimthi në gjysmëkthesë dhe kaloi Sienën në avantazh. Ky ishte goli i dytë për të në kampionat. Lojtari u zëvendësua në minutën e 52-të. “Nuk është e lehtë të fitosh vendin e titullarit te Siena, por unë jam në një formë të shkëlqyer, ndaj edhe kam shënuar në të dyja ndeshjet kur kam luajtur titullar. Më vjen mirë që fituam, sepse kjo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme”, ka thënë Bogdani për “Panorama Sport” pas ndeshjes. Javën e ardhshme Siena do të përballet me Çezenën, skuadër me të cilën Bogdani luajti deri në janar të këtij viti. “Nuk kam asnjë dëshirë për hakmarrje te Çezena. Atje u ndjeva mirë dhe ata më respektuan kur unë vendosa të shkoja te Siena. Megjithatë, do të përpiqem që t’u shënoj javën e ardhshme. Siena mendoj se është një shkallë më lartë sa i përket organizimit, por shpresoj shumë që stadiumi të mos jetë i mbushur plot, sepse atje tifozët krijojnë një atmosferë shumë të vështirë”, ka thënë sulmuesi i përfaqësueses shqiptare. Sa i përket miqësores së Shqipërisë me Spanjën, lojtari u shpreh: “Do të jetë një ndeshje e bukur, por shumë e vështirë. Shpresoj të jem në atë ndeshje, por të shohim, sepse është ende herët”.
Roshi
Mesfushori i talentuar i Kombëtares shqiptare, Odise Roshi, po forcon gjithnjë e më shumë pozitat e titullarit te skuadra e Këlnit. Mesfushori i djathtë edhe dje u aktivizua që nga minuta e parë në ndeshjen ku skuadra e tij barazoi 1-1 në transfertë kundër Hofenhaimit. Roshi u aktivizua vetëm në pjesën e parë, pasi në të dytën e zëvendësuan.