E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio, dopio-sukses në derbi

Fiton edhe Napoli, teksa ndalet Udineze në shtëpi.

Lacio ka fituar derbin e dytë të sezonit ndaj Romës, sërish me rezultatin 2-1, duke siguruar dy suksese me një goditje të vetme. Bardhekaltrit u japin fund shpresave të verdhekuqve për Ligën e Kampioneve, si edhe pushtojnë fortesën romane. Lacioja nuk arrinte të fitonte në shtëpinë romane prej 14 vitesh, që nga takimi i Kupës së Italisë në vitin 1998. Për djemtë e drejtuar nga Edi Reja ky ishte një sukses i merituar, por i ndihmuar edhe nga gabimi fatal i Stekelenburgut, i cili për 82 minuta e la ekipin në inferioritet numerik. Dalja e portierit bëri që Roma të ndryshonte mënyrën e të luajturit, duke u përpjekur të zmbrapsë sulmet e rivalëve të kryeqytetit. Përveç këtij episodi, derbi tregoi se momentalisht Lacio është një ekip më i fortë sesa Roma, ende e pasigurt. Dhe tregues i kësaj është klasifikimi. Bardhekaltrit janë 10 pikë larg verdhekuqve dhe mbajnë të vetëm vendin e tretë, me dy pikë më shumë se Udineze, që nuk shkoi më shumë se një barazim në shtëpi. Në takimet e tjera Udineze ka bërë një hap fals në shtëpi ndaj Atalantës, pasi ka humbur vendin e tretë, që i jep mundësinë të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Ky është barazimi i dytë radhazi për friulanët brenda. Ndeshja dhuroi pak emocione, me përjashtim të drithërimës në minutën e dytë shtesë, pas gjuajtjes së Di Natales. Takimi i djeshëm qe një sfidë midis dy bomberave, Denisit dhe Di Natales. Por mbrojtjet e të dyja skuadrave i fituan thuajse të gjitha duelet, duke i mbuluar më së miri sulmuesit. Ndërsa mes polemikash ka fituar Napoli në Parma. Kavani dhe Laveci janë sërish heronjtë e takimit. Napoli ka siguruar fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke mposhtur 2-1 Parmën në transfertë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›