E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta barazon në Vlorë, Tirana i merr kryesimin

Tirana-Kastrioti 1-0

Superiore/ Shpërthen Vllaznia, fiton edhe Skënderbeu.

Tirana merr kryesimin falë fitores ndaj Kastriotit, por me pikë të barabarta me Teutën, e cila barazoi në Vlorë me Flamurtarin. Fitojnë edhe Vllaznia e Skënderbeu. Java e 15-të e Superiores ka qenë nën siglën e bardhebluve, të cilët janë vënë tashmë në komandë të Superiores. Djemtë e drejtuar nga Hulian Rubio kanë kaluar me sukses një tjetër provë “zjarri” ndaj krutanëve të Ramazan Ndreut. Ndonëse me një mbrojtje të arnuar për shkak të mungesave të shumta, kryeqytetasit jo vetëm kanë fituar, por madje e kanë ruajtur të paprekur portën e tyre, duke e mbyllur këtë sfidë me shifrat 1-0. Heroi mban emrin e Gilman Likës, i cili me eurogolin e realizuar në të 44-n ka ngritur peshë stadiumin, duke u dhënë një tjetër trepikësh të vyer 24 herë kampionëve të vendit. Ishte pikërisht ky momenti më i bukur i të gjithë 90-minutëshit, pasi pjesa tjetër linte shumë për të dëshiruar. Mirëpo në fund të fundit ato që vlejnë janë pikët dhe këtë Tirana e Rubios di ta bëjë mjaft mirë. Teuta barazoi në Vlorë duke nxjerrë thuajse totalisht (jo matematikisht) nga lufta për titull Flamurtarin. Vendësit luanin “kartën e fundit” për t’i mbajtur ende gjallë shpresat për të rivalizuar për trofeun më të rëndësishëm të kampionatit, por nuk shkuan më shumë se një barazim. Ndërkohë, Teuta duket sikur e kishte harruar atë humbje në shtëpi ndaj Tiranës dhe në stadiumin e Vlorës zbriti jo vetëm si e barabartë, por edhe me pretendimin për të marrë pikë të plota. Në fakt e ceku disi këtë ndjesi (të paktën për disa minuta falë golit të Nikës), por nuk arriti ta ruante të paprekur rrjetën e portierit Rizvani, kjo më shumë për një gafë të vetë durrsakëve, sesa për meritë të vendësve (barazoi Pejiç pas një karamboli në zonë dhe me topin që më pas përfundoi në rrjetë). Megjithatë, nisur nga fakti se luhej në një fushë ndër më të vështirat për të fituar, ky barazim në pamje të parë vlen gati sa një fitore. Fitore të rëndësishme mori edhe Vllaznia dje ndaj Kamzës. Shkodranët mundën pastër 4-0 kamzalinjtë, në një ndeshje të dominuar totalisht nga vendësit dhe që luhej pa spektatorë për shkak të dënimit të fushës me një ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. Ashtu siç edhe pritej, takimi i djeshëm ka qenë i gjithi për vijën e sulmit, përderisa erdhën edhe golat e Jabllan dhe Gjinit. Pokerin e plotësuan edhe Hajdari me Gocajn, ky i fundit nga pika e bardhë e penalltisë. Kjo fitore i ka dhënë qetësi ambientit mjaft të trazuar në Shkodër pas humbjeve si në kampionat, por edhe në kupë. Ndërkohë, ashtu siç ishte parashikuar, Skënderbeu arriti ta fitojë me rezultatin e pastër 2-0 takimin ndaj Dinamos, i cili u zhvillua në stadiumin e Peqinit për shkak të dënimit që bardhekuqtë po vuajnë prej tetë ndeshjesh larg Korçës, për shkak të gjakosjes së anësorit Çokaj në takimin e kupës me Flamurtarin. Korçarët kanë qenë dominues në fushë përballë kryeqytetasve, të cilët zhyten edhe më shumë në fundin e tabelës së klasifikimit. Dy gola të Muzakës, nga një në çdo pjesë, i kanë mjaftuar ekipit të Levit për t’u afruar edhe më shumë me kreun e klasifikimit, që aktualisht mbahet nga Tirana dhe Teuta. Ndërsa java e 15-të e Superiores do të mbyllet sot me ndeshjen Tomori-Pogradeci, ku beratasit (11 pikë) do kërkojnë me çdo kusht që të arrijnë në renditje liqenorët (14 pikë).

Superiore/ Java 15
Bylis-Laçi            3-0

Shënues: Milenkoviç 11 (autgol), Meto 28, Abazaj 55
Apolonia-Shkumbini 1-1
Shënues: Gërxho 79? (p)/ Mustafaj 16
Flamurtari-Teuta        1-1
Shënues: Pejiç 65/ Nika 50
Skënderbeu-Dinamo  2-0
Shënues: Muzaka 38, 75
Vllaznia-Kamza        4-0
Shënues: Jabllan 33, Hajdari 41, Gocaj 64 (p), Gjini 71
Tirana-Kastrioti        1-0
Shënues: G.Lika 44
SOT
Tomori-Pogradeci    14:00

Renditja
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P

1. Tirana     15     10     3     2     23     13     33
2. Teuta      15     10     3     2     19     10     33
3. Skënderbeu15     9     5     1     26     9     32
4. Flamurtari     15     7     5     3     22     12     26
5. Kastrioti    15     7     3     5     22     16     24
6. Bylis    15     6     4     5     29     24     22
7. Vllaznia     15     6     2     7     24     19     20
8. Shkumbini    15     5     5     5     21     24     20
9. Laçi         15     5     5     5     13     17     14
12. Kamza     15     4     2     9     12     19     14
11. Pogradeci 14     5     2     7     13     21     14
12. Tomori    14     3     2     9     14     26     11
13. Apolonia     15     2     4     9     15     29     10
14. Dinamo    14     0     5     9     7     19     2
SHËNIM: Laçi – minus 6 pikë (dënuar nga Disiplina). Pogradeci – minus 3 pikë (dënuar nga Disiplina). Dinamo – minus 3 pikë (dënuar nga FIFA).

Dimo i pafat, thyen dorën në Peqin
Pas kalimit te skuadra e Skënderbeut duket se fati nuk është më me sulmuesin fierak. Ai në ndeshjen e djeshme ndaj Dinamos të zhvilluar në Peqin mësohet të ketë thyer dorën. Dimo pas një dyluftimi me një nga mbrojtësit kundërshtarë ka rënë keq në tokë, çka ka rezultuar fatale për të. Menjëherë pas këtij momenti, ai  është transferuar direkt në spitalin e qytetit të Peqinit për të marrë edhe ndihmën e nevojshme nga stafi mjekësor. Kjo nuk është herë e parë që lojtari e lë fushën për shkaqe dëmtimi, pasi edhe në disa takime të tjera ka pësuar dëmtime.

Levit s’i pëlqejnë kushtet, refuzon median
Trajneri i skuadrës së Skënderbeut, Stanislav Levi, nuk ka preferuar të flasë për mediat në përfundim të sfidës së djeshme, ku skuadra e tij fitoi ndaj Dinamos. Çeku, pasi është lajmëruar nga përkthyesi i tij, ka kërkuar dhomën e konferencave, e cila në stadiumin e Peqinit konsiston në një tavolinë me një karrige, mjaft e përshtatshme për një proces të tillë. Megjithatë, tekniku pasi ka parë vendin ku duhet të fliste për mediat, nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka preferuar të largohet nga ambientet e stadiumit pa u prononcuar për ndeshjen.

Sharjet ndaj FShF
Takimi mes Flamurtarit dhe Teutës nisi me disa minuta vonesë, për shkak të sharjeve në kor të tifozëve si ndaj lojtarëve të Teutës (Tefik Osmanit pasi është korçar. Vazhdon ende “lufta” Vlorë-Korçë), por më së shumti ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. U desh ndërhyrja e arbitrit kryesor (natyrisht i sinjalizuar nga delegati i ndeshjes dhe vëzhguesi), i cili kërkoi asistencën e kapitenit të Flamurtarit, Sakaj dhe zv/kapitenit Veliu, që t’i qetësonte sportdashësit në stadium dhe të niste ndeshja.

Ruboi: “Fituam, por titulli është 11 javë larg”
Me një zë të ngjirur për shkak të ulërimave dhe tensionit që ka pasur në këtë takim, trajneri Hulian Rubio, ndonëse u gëzohet pikëve, ka rezerva për lojën. E megjithatë, tek e fundit nuk priste më shumë, duke e ditur që në fushë zbriti me 5 mungesa. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat, spanjolli i bardhebluve shprehet se ndonëse kanë kapur kreun, titulli është edhe 11 javë larg. “Zëri është më e pakta, nuk shqetësohem për të tani. As për vuajtjen. E rëndësishme është që fituam, ndonëse unë nuk kënaqem vetëm me pikët, pasi dua edhe lojën. Dua të ja

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›