E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet part-time, rikthehen edhe në universitetet private

Rikthehen studimet part-time edhe në universitetet private. Ministria e Arsimit pas një viti ndërprerje u ka dhënë sërish mundësinë këtyre institucioneve që të ofrojnë ciklin e studimeve me kohë të pjesshme. 

ZIRINA LLAMBRO

Në shtator pas miratimit të kuotave për shkollat e larta publike do të nisen urdhëresat përkatëse edhe tek privatët. Por këtë herë rregullat do të jenë të forta. Part-time do të kenë vetëm ato universitete që programet do t’i kenë sipas Kartës së Bolonjës. Në të kundërt, specialistët e ministrisë nuk do t’i miratojnë. “Për të gjithë ato institucione private që do të plotësojnë standardet e Bolonjës në ofrimin e studimeve me kohë të pjesshme, nuk do të ketë asnjë pengesë”, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, ndryshe nga universitetet publike ku kuotat i miraton MASH-i, privatët do të vendosin vetë për numrin e studentëve që do të pranohen në part-time. “Kurrikulat duhet të jenë të përshtatura në atë formë që studenti të plotësojë 180 kredite për të marrë diplomën. Duke ditur që një kredit i korrespondon orëve të caktuara mësimore, universitetet duhet t’i organizojnë në mënyrë sa më efektive”, cituan specialistët e MASH.
Rihapja
Në shtator të vitit të kaluar ministri i Arsimit dhe Shkencës urdhëroi ndërprerjen e studimeve me kohë të pjesshme në  universitetet private. Të 14 institucionet u paralajmëruan se në rast se do të ofronin këtë sistem në kundërshtim me urdhrin do t’u hiqej licenca. Një masë e ngjashme u mor edhe për universitetet publike, kuotat e të cilëve mbetën pezull deri në muajin mars. Argumenti i drejtuesve të MASH-it për këtë masë ishin parregullsitë me të cilat zhvillohej sistemi me kohë të pjesshme, duke lëshuar diploma pa vlerë. Deri në rishikimin e kurrikulave nuk do të miratoheshin kuotat. Nga sa është bërë me dije, ky sistem shkollimi mund të nisë edhe në mes të vitit akademik. Edhe kësaj here shkak u bënë kurrikulat. MASH i kërkoi universiteteve që t’i riformulonin ato, duke përcaktuar numrin e orëve mësimore dhe kreditit për secilën. Veç kësaj universitetet duhet të barazonin në masën 100% programin mësimor me sistemin e ditës. Kjo kërkesë, pasi, sipas MASH-it, nuk ishte më e pranueshme që studentët e part-time të merrnin të njëjtën diplomë me ata që ndjekin shkollën ditën, në një kohë që programi mësimor për ta ishte në raportin 50-60%.Mesa duket universitetet publike kanë pasur kohën e mjaftueshme për të riparuar programet dhe për t’i përshtatur ato sipas Kartës së Bolonjës. Madje, pjesa më e madhe e tyre ka nisur pranë Ministrisë së Arsimit propozimet. “Na kanë ardhur pjesa më e madhe e propozimeve për kuotat e pranimit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Miratimi i tyre do të bëhet në shtator”, theksoi MASH.

6 mije
studentë më shumë se vitin e kaluar do të kenë shansin për të nisur universitetin në shtator. Plot 20 212 studentë të rinj do të pranohen vetëm në sistemin me kohë të plotë.

500 studente
do të kenë mundësi të nisin studimet e larta. Shpërndarja e kuotave do të bëhet në shtator nga Ministria e Arsimit pas propozimeve nga vetë universitetet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›