E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbimi, akuzë Indrit Taullajt

 

Trazhgim Sokolaj

Indrit Taullaj, i arrestuar si anëtar i “Bandës së Durrësit”, do të përballet me Gjykatën e Krimeve të Rënda me një akuzë të re, për shfrytëzim prostitucioni. Dosja penale ndaj personazhit të konsideruar si “ushtari” i Lul Berishës, kapos së Bandës së Durrësit, ishte dërguar më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës. Kjo e fundit pasi mori në shqyrtim dosjen e dërguar nga Prokuroria vendosi që të shpallë moskompetencën dhe aktet t’i dërgojë në Gjykatën e Krimeve të rënda për shqyrtim gjyqësor. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës dhe të gjykatës. Hetimet filluan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi episodi i trafikimit të vajzës u zbulua gjatë hetimeve për bandën në tërësi. Megjithatë dosja u veçua dhe u dërgua në Prokurorinë e Durrësit ku vijuan hetimet. Sipas burimeve nga organi i akuzës, “ushtari” i Lul Berishës akuzohet se ka trafikuar dhe shfrytëzuar për ushtrim prostitucioni vajzën e dëmtuar me inicialet V.J. Akuza pretendon se ajo është mbajtur e izoluar për 18 muaj në një banesë në Durrës dhe më pas është trafikuar për ushtrim prostitucioni në Itali. Sipas hetimeve, në veprimet që janë kryer në dëm të vajzës, janë implikuar disa anëtarë të bandës ndërsa rrëmbimi i saj është kryer në vazhdën e akteve të tjera kriminale për të cilat akuzohet “Banda e Durrësit”. Prokuroria sqaroi më tej se i pandehuri Indrit Taullaj e ka dërguar vajzën në Itali dhe më pas e ka dorëzuar tek një i afërm i tij, G.Taullaj. Hetimet kanë zbuluar se vajza është dhunuar dhe ka rënë pre e presioneve që e kanë detyruar të ushtronte prostitucion dhe fitimet të administroheshin nga njeriu i ngarkuar prej Indrit Taullajt. Në dosjen penale që është dërguar së fundi në gjykatë, mësohet se janë administruar edhe një sërë provash e materialesh të ardhura nga Italia, në bazë të hetimeve të zhvilluara në shtetin fqinj. Vajza mësohet se është marrë peng në vitin 2000 dhe sipas burimeve nga prokuroria është mbajtur peng, me qëllim që të mos dëshmonte në polici kundër një ish-eksponenti kryesor të “bandës së Durrësit”, i cili u arrestua në këtë kohë. Prokuroria tha se nga dëshmitë e vajzës është mësuar se personat e ngarkuar nga Taullaj kishin marrë në Itali një banesë me qira pranë vendit ku shfrytëzohej e dëmtuara, e cila kontrollohej në çdo veprim dhe lëvizje të saj. Hetuesit pohuan se në dosjen penale me akuzat kundër Taullajt janë administruar rrëfime tronditëse të vajzës të dhëna, pasi policia italiane ndaloi atë dhe e riatdhesoi në Shqipëri. Policia dhe Prokuroria i kanë dhënë të dëmtuarës statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, për shkak se ajo ka dhënë dëshmi të rëndësishme kundër “Bandës së Durrësit”.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›