Bogdani konfirmohet titullar kundër "së kaluarës" së tij
Erjon Bogdani, përfundimisht ka mundur ta rifitojë një vend stabël titullari në radhët e skuadrës së Kievos. Paraqitja e tij në ndeshjet e fundit në ndeshje të rëndësishme, kanë bindur trajnerin Di Carlo, i cili gjatë pjesës së parë të sezonit nuk e ka pasur në preferencat e tij sulmuesin shqiptar. Për rikthimin e Bogdanit në formacion ka pasur ndikim edhe protesta e tifozerisë, por edhe kritikat e specialistëve të futbollit. Gjithsesi, tashmë Bogdani ka shanset të demonstrojë aftësitë e tij më të mira në fushën e lojës. Këtë do ta provojë ta bëjë edhe këtë të diel, kur Kievo do të përballet me Sienën. Kjo skuadër është një njohje e vjetër e sulmuesit shqiptar, i cili ka luajtur në radhët e saj për një sezon e gjysmë (janar 2005 deri në qershor 2007). Bogdani numëron 49 ndeshje të luajtura me bluzën e Sienës, ku ka shënuar në total 13 gola. Kjo skuadër do t‘ia shiste Kievos futbollistin shqiptar në merkaton e verës së 2007-ës.