E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, fat në derbi dhe kryeson e vetme

Një Tiranë me shumë fat ajo që dje ka shmangur në minutat e fundit humbjen në derbin numër 133 me Partizanin, gjë e cila i ka dhuruar më pas edhe mundësinë për të kryesuar e vetme klasifikimin, pasi Vllaznia ishte mundur në Durrës. Për këtë, bardheblutë duhet t‘i falen sulmuesit Daniel Xhafa, dopjeta e të cilit nuk lejoi një humbje të rëndë përballë një skuadre, si ajo e të kuqve, që lufton për të mos rënë nga kategoria. Tirana duhet të falënderojë edhe Vangjel Milen, për golin e shënuar në portën e shkodranëve në takimin Teuta-Vllaznia 1-0. Këta dy faktorë u dhanë kryesimin e vetëm të 23-herë kampionëve pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 28-të të Kategorisë Superiore. Tashmë, bardheblutë kryesojnë me 55 pikë, një më shumë se kuqeblutë e vendit të dytë (54).

Por t‘i rikthehemi derbit ku nuk kanë munguar golat, emocionet por edhe dramaciteti. Dy skuadrat më popullore të kryeqytetit përsëritën shifrat e fazës së dytë, 2-2, madje me të njëjtën "skemë" të shënimit të golave, ku shënoi e para Tirana, barazoi e kaloi në avantazh Partizani, e pak minuta para përfundimit të takimit, bardheblutë firmosin barazimin. Në një dekor të denjë për ndeshje ndërkombëtare, e me dy tifozeri entuziaste. Përballja e tretë sezonale mes dy skuadrave me më shumë histori në futbollin shqiptar, Partizani e Tirana, dhuroi emocione të jashtëzakonshme, pavarësisht se luanin me ambicie të ndryshme, njëra për titull dhe tjetra për mbijetesë. Të kuqtë dominuan 96 minutat e luajtura në total, përfshirë edhe shtesat, madje në minutën e 94-të, nëse futbollisti i futur në fushë si zëvendësuesi Rigels Çekaj do të ishte treguar më i saktë, do të kishte fiksuar shifrat 3-2 për Partizanin. Pjesa e parë ka qenë diçka më e mirë për Tiranën, por emocionet më të mëdha i ka dhuruar pjesa e dytë. Në avantazh kanë kaluar të parët djemtë e Agustin Kolës në minutën e 55-të me anë të sulmuesit Daniel Xhafa, që kanë shfrytëzuar një pasiguri të mbrojtjes së kuqe. Avantazhi ka zgjatur vetëm disa minuta. Partizani, jo vetëm që ka barazuar me anë të Babamustës në të 63-ën, por ka dyfishuar me Ngjelën në 66-ën, duke qenë shumë pranë trepikëshit. Daniel Xhafaj ka shënuar golin e dytë personal rreth 10 minuta nga përfundimi, rezultat që nuk ka ndryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Pavarësisht disnivelit në kualitete, derbi mbetet gjithmonë i njëjtë, me emocione dhe të papritura. Të kuqtë mund të ishin duke festuar fitoren tani, nëse në minutën e 94-t Çekaj do të ishte treguar më i saktë. Gjithsesi Partizani merr një pikë të rëndësishme sa i përket luftës për të mos rënë nga kategoria.

Superiore

Java e 28 (Dje)

Partizani-Tirana 2-2

D. Xhafa 55‘ e 87‘ / Babamusta 63‘, Ngjela 66

Teuta-Vllaznia 1-0

Mile 61‘

Besa-Dinamo 1-1

Leci 32‘ / Çeko 71‘

Shkumbini-Lushnja 1-0

Dervishi 9‘

Elbasani-Bylis 2-1

Ahmataj 3‘ e 61 / Arapi 40‘

Flamurtari-Apollonia 0-0

Klasifikimi

Skuadrat N P

1. Tirana 28 55

2. Vllaznia 28 54

3. Dinamo 28 48

4. Shkumbini 28 44

5. Teuta 28 41

6. Besa 28 39

7. Flamurtari 28 31

8. Partizani 28 30

10. Elbasani 28 30

9. Lushnja 28 29

11. Apolonia 28 26

12. Bylis 28 25



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›