Katër gola shqiptarë në fundjavën evropiane
Fundjava futbollistike evropiane numëron katër gola shqiptarë në kampionate të ndryshme të kontinentit, nga Austria në Gjermani, Itali dhe deri në Ukrainë. Sulmuesi shkodran i SV Riedit në kampionatin austriak, Hamdi Salihi, ka hapur, mbrëmjen e së premtes, serinë e golave. Ish-bomberi i Tiranës dhe Vllaznisë shënoi golin e parë në fitoren 3-0 në transfertë të skuadrës së tij me Lask Linc (e para historike). Në këtë ndeshje, Ried dëshmoi se është skuadra numër 1 në Austrinë e Sipërme. Pas një kromimi të Stefan Leksas, sulmuesi shqiptar çoi në rrjetë topin falë një goditjeje me kokë në minutën e tetë. Dy golat e tjerë u shënuan nga Hervig Dreksel në minutat 74‘dhe 93‘ (me penallti). Ky ishte edhe goli i nëntë sezonal për Salihin, duke konfirmuar edhe një herë formën e tij të mirë. Ried nuk humbet prej gjashtë ndeshjesh, por për herë të parë në historinë e saj kthehet me tri pikë nga Linci. Mbrëmjen e së premtes, edhe një tjetër sulmues shqiptar, do të provonte shijen e ëmbël të golit. Ishte Edgar CCani, i cili luan që nga 31 janari 2008 në radhët e skuadrës së Askolit në Serinë B. Skuadra e tij ka fituar me rezultatin 2-1 ndeshjen në shtëpi ndaj Frosinones. Miqtë kishin kaluar në avantazh në minutën e 21-të. Askoli ka barazuar me Soncin tetë minuta më pas, ndërsa është dashur të vijë goli i shqiptarit Cani në minutën e 67‘, për të marrë një fitore të rëndësishme 2-1. Stafetën e golit e ka marrë dje Skerdilajt Curri në kategorinë e tretë gjermane. Sulmuesi kavajas ka kontribuar në fitoren 3-0 të skuadrës së tij Erzgebirge Aue ndaj Kikers Emden. Pas Agyemang (43‘) dhe Stark (58‘), Curri ka trefishuar rezultatin në minutën e 72-të. Ky është goli i katërt personal në këtë sezon. Më pas, i ka lënë radhën Parid Xhihanit në ligën e parë ukrainase. Ai ka meritën e një barazimi të rëndësishëm 1-1 në transfertë të Zoryas së tij kundër Karpaty Lviv.