E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta, një "kafshatë që s‘kapërdihet" për Vllazninë

Në "Niko Dovana", Teutës i ka mjaftuar goli i Miles në pjesën e dytë, për ta fundosur sërish Vllazninë, për të cilën bëhet edhe më e vështirë lufta për titull. Shkodranët duhet të përgëzojnë të kuqtë, që kanë ndalur në barazim Tiranën e vendit të parë. Në ndeshjet e tjera nuk pati rezultate surprizë. Elbasani ka fituar në fushën e tij me Bylisin e vendit të fundit me rezultatin 2-1, duke marrë tri pikët e para me Ramadan Shehun, që ka debutuar dje si trajner në pankinën e verdhebluve. Po ashtu, ky rezultat fikson edhe fitoren e parë të Elbasanit pas dhjetë ndeshjesh. Në Kavajë, Besa-Dinamo ka përfunduar në barazim 1-1, ndërsa trajneri i bluve, Shkëlqim Muça, është ndëshkuar me karton të kuq. Besa ka dominuar në 45 minutat e para, por në pjesën e dytë, Dinamo ka pasur më shumë epërsi, por nuk ka mundur të shkojë më tej se një barazim 1-1. Ndërsa Shkumbini ka bërë detyrën në Peqin, duke mundur Lushnjën ngushtësisht 1-0. Rezultat të mirë, duhet theksuar, ka marrë Apolonia në Vlorë, pasi ka barazuar pa gola me Flamurtarin vendës. Me këto rezultate, beteja për titullin kampion mbetet e hapur, sikurse edhe ajo për të mos rënë nga kategoria. Bylisi me Apoloninë, përkatësisht me nga 25 dhe 26 pikë, kanë mbetur disi prapa në fundin e tabelës, por në javët e ardhshme mund të ndodhë gjithçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›