“S’ka integrim të veriut pa heqjen e strukturave paralele”
Qeveria dhe institucionet e Kosovës kërkojnë të kenë një rol më aktiv në angazhimin e përbashkët me EULEX-in për integrimin e pjesës veriore, deklarojnë deputetët dhe zyrtarët e partive politike në Kosovë. Sipas tyre, institucionet vendore do të duhej të jenë aktive dhe jo vëzhguese të veprimeve të EULEX-it në veri, ku misioni ndërkombëtar besohet se do të vazhdojë të ketë rolin parësor, për shkak të rrethanave specifike në këtë pjesë të Kosovës, pasi integrimi i veriut në sistemin juridik e kushtetues të Kosovës do të varet nga angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe EULEX-it. “Hapi i parë që duhet ndërmarrë në veri, është shuarja e strukturave paralele”, shprehen zyrtarët kosovarë. Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se shtrirja e EULEX-it nënkupton që ky mision të vendosë rregull në portat kufitare me Serbinë, në zbatimin e ligjit për doganat, gjyqësorin dhe shpërbërjen e strukturave paralele. Këto detyra, thotë ai, janë edhe mandati i EULEX-it, ndërkaq një rol aktiv aty, sipas tij, duhet të kenë edhe institucionet kosovare. “Ka shumë detyra që duhet të ndërmerren - shpërbërja e strukturave paralele komunale, shpërbërja e strukturave paralele të sigurimit shtetëror të Serbisë, shpërbërja e strukturave paralele tjera, që kanë qenë funksionale gjatë këtyre nëntë vjetëve dhe kanë sjellë probleme realisht dhe unifikimi i këtyre strukturave në përputhje me angazhimet dhe kërkesat kushtetuese të Kosovës”. Ndërsa anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, thotë se pas shtrirjes së EULEX-it mbetet të qartësohet mandati dhe forma e operimit të këtij misioni. Arifi i bën thirrje Qeverisë që të hartojë plane konkrete për integrimin e veriut, të cilat do t’i zbatonte bashkë me misionin e BE-së. Në planin e Ahtisarit parashikohet krijimi i komunës veriore të Mitrovicës, por edhe një shkallë e lartë e vetëqeverisjes lokale në vendbanimet me popullsi serbe, kryesisht në arsim e shëndetësi. Por, plani i Ahtisarit nuk është pranuar nga serbët dhe mbetet të shihet, se cili do të jetë qëndrimi i EULEX-it dhe institucioneve vendore mbi komunitetin serb në veri, pjesë kjo që për nëntë vjet funksionon jashtë sistemit juridik e kushtetues të Kosovës. Ndërkaq përfaqësues të serbëve në Kosovë kërkojnë zbatimin e planit gjashtë pikësh të OKB-së.