E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet shtëpia në Gjirokastër, të tjera në rrezik

 

Gjirokastër

Paratë janë gjithnjë pak për Gjirokastrën. Sado financime të akordohen, qyteti i gurtë, duket si një gojë e madhe e pangopur. Për shkak të braktisjes nga ana e të zotëve, por edhe investimeve që gjithnjë janë të pamjaftueshme, Gjirokastra mori dje goditjen e radhës. Specialistë të Drejtorisë rajonale të Monumenteve dhe të Policisë Bashkiake, nisën dje punën për shembjen e një pjese të shtëpisë 300-vjeçare të Koloit, e cila ndodhet në lagjen “Varosh”. Sipas drejtorit të monumenteve, Spartak Drasa, shembja e kësaj pjese ishte e detyrueshme, pasi objekti kishte pësuar çarje dhe devijim nga ana e rrugës, duke rrezikuar kalimtarët. “Operacioni ishte i vështirë, pasi banesa është shumë afër me objekte të tjera dhe u munduam të mos e dëmtojmë atë tërësisht. Pjesa tjetër vazhdon të jetë në këmbë dhe ne e lehtësuam nga rrasat e gurit që rëndonin çatinë”, thotë Drasa. Ndërhyrje janë kryer në dy mure anësore rreth 20 metra të lartë. Mësohet se punimet janë kryer në masa të rrepta sigurie dhe rruga që të çon në Qafën e Pazarit është bllokuar. Arsyen e degradimit të kësaj ndërtese deri në këtë pikë, drejtori nuk e lidh vetëm me investimet, por edhe mungesën e interesit nga ana e të zotëve. “Kjo shtëpi është e braktisur prej vitesh nga të zotët dhe është banuar më tej nga qiraxhinjtë. Askush deri më sot nuk është interesuar për të”, thotë ai, teksa shton se shtëpitë e pabanuara janë të destinuara të shkatërrohen, nëse ndaj tyre nuk kushtohet kujdes. Shkatërrimi vjen kryesisht nga çatia, kalbja e trarëve nga lagështia. Për më tepër që kjo shtëpi, në muajin mars ishte “dënuar” edhe nga një zjarr, që shkatërroi ambientet e brendshme të ndërtesës monumentale. Pas këtij operacioni, nga ana e specialistëve të monumenteve do të hartohet një projekt për rikonstruksionin e kësaj ndërtese 3-katëshe, e cila rezulton të jetë monument kulture e kategorisë së dytë. Por shtëpia e Koloit nuk është e vetmja që vuan nga braktisja. Drasa thotë se në Gjirokastër ka shumë syresh. Disa mbahen mirë, ndërsa dy të tjera, që ngrihen në qendrën historike janë pak a shumë në të njëjtën gjendjen me atë të Koloit. U bënë 18 vjet tashmë, që qyteti i Gjirokastrës jep shenjat e plakjes. Paralelisht me një shtëpi që rikonstruktohet, një tjetër rrënohet. Me hyrjen në listën e trashëgimisë botërore, të mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastra tërhoqi diçka më shumë vëmendjen e autoriteteve qendrore. Qeveria dha 1,2 milionë dollarë për rikonstruksionin e ndërtesave të saj. Fond ky që mbikëqyret nga specialistë të UNESCO-s. Me këtë fond, momentalisht janë duke u rikonstruktuar 13 objekte mes të cilave 6 janë shtëpi, ndërsa pjesa tjetër i takon Pazarit. Mësohet se ndërhyrjet në këto objekte po kryhen nga firma “Gen-Red”, e cila u shpall fituese e tenderit të organizuar nga zyra e UNESCO-s në Venecia. Në këtë pikë duket se shqiptarët i kanë “larë duart”. Drasa thotë se në konkurs morën pjesë disa firma ndërtuese dhe se përveç kompanisë “Gen–Red”, së cilës i është besuar volumi më i madh i punës, një tjetër firmë ka fituar mundësinë e rikonstruksionit të disa objekteve, por me një vlerë më të vogël parash. Ndërkohë që punimet kryhen nga specialistët shqiptarë, janë ata të UNESCO-s që mbikëqyrin punimet. “Që të mos ketë shpërdorime fondesh”, thotë kreu i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve në Gjirokastër. Momentalisht po punohet në të gjitha këto objekte, ndërkohë që mësohet se puna u ngadalësua për gati një javë, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Madje, ishin pikërisht reshjet e ditëve të fundit, që e rrënuan më tej shtëpinë e Koloit. Në zulmën e shembjes së shtëpisë së Koloit, këto ditë është folur edhe për shembjen e 12 shtëpive të tjera shekullore në Gjirokastër. “Nuk janë fjalë pa bazë. Di që Këshilli Bashkiak është mbledhur e ka diskutuar për shtëpitë në rrezik shembjeje, por nuk mund të them asgjë më tepër. Ne nuk na ka ardhur ndonjë shkresë zyrtare. Nëse do të zbardhet një vendim i tillë, atëherë edhe ne do të veprojmë. Nuk mund të shemben 12 shtëpi në Gjirokastër, sepse kështu vendos Këshilli Bashkiak. Ky është një proces që duhet studiuar gjatë. Në do të përdorim të gjitha rrugën e mundshme, me anë të Institutit të Monumenteve, Ministrisë së Turizmit, kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, thotë Drasa.

Rikonstruktohen 13 objekte

Me paratë që monitorohen nga UNESCO po rikonstruktohen 13 objekte, mes të cilave 6 shtëpi, si ajo e Babaramove, Skëndulajve, Babametove, Çabejve, etj. “Është hera e parë që ndërhyhet njëkohësisht në kaq shumë objekte. Në pjesën e Pazarit prej 3 vjetësh janë investuar rreth 20 milionë lekë të reja dhe po kaq janë menduar edhe për vitin që vjen, ndërsa në ndërtesa ndërhyrja ka qenë më e paktë. Ndër gjashtë shtëpitë që po rikonstruktohen, 3 ishin tërësisht të degraduara”, thotë drejtori i Drejtorisë rajonale të Monumenteve në Gjirokastër Spartak Drasa. Në zonën e pazarit po ndërhyhet me suvatime, vetrata e rregullime çatish. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›