Bogdani nuk e ka të sigurt vendin në formacion e parë
Erjon Bogdani shikon t‘i largohet vendi i titullarit në formacionin e parë në prag të ndeshjes së radhës në Serinë A. Në stërvitjen e fundit të së premtes, trajneri Di Karlo ka aplikuar një seancë shumë të ngarkuar, me ushtrime shpejtësie dhe teknike. Në këtë stërvitje është bashkuar edhe Bogdani, i cili ishte i impenjuar me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Danimarkës, për eliminatoret e Botërorit 2010. Kievo të dielën do të luajë kundër Bolonjës, por me shumë mundësi fillimin e kësaj ndeshjeje Bogdani do të duhet ta ndjekë nga stoli i rezervave. Sipas mediave italiane, më i favorizuar për të luajtur titullar në sulm përkrah Pelisier është sulmuesi tjetër, Granoke. I këtij mendimi duket se është trajneri Di Karlo, i cili nuk ka preferuar t‘i sqarojë arsyet e këtij vendimi të mundshëm. Gjithsesi, ka shumë shanse që ulja e Bogdanit në stol mund të vijë për shkak të lodhjes së tij në ndeshjen Shqipëri-Danimarkë (1-1) të mërkurë, ku sulmuesi ishte edhe protagonisti kryesor i këtij takimi.